Policia e Kosovës ka njoftuar se dje në intervalin kohor nga ora 17:20 deri në ora 18:40 në rrugën Prishtinë – Pejë, nga lokacioni Kroni i Mbretit deri te mbikalimi në Komoran, në të dy drejtimet e rrugës, kanë ndodhur 13 aksidente trafiku, prej tyre 6 me lëndime trupore.
Zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha, ka thënë se deri te aksidentet dyshohet se ka ardhur si pasojë e reshjeve të shiut dhe gjendjes së krijuar në rrugë.
“Disa nga vozitësit nuk e kanë përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës si dhe nuk kane mbajtur distancë të mjaftueshme ndërmjet automjeteve për të shmangur aksidentet. Qarkullimi në këtë aks rrugor është zhvilluar me vështirësi dhe janë krijuar kolona të gjata”, ka thënë ai.
Sipas njoftimit, në vendngjarje kanë dalë Policia, ekipet e zjarrfikësve, ekipi i mirëmbajtjes së rrugëve si dhe autoambulancat.
Ai thotë se pas orës 19:00 qarkullimi i automjeteve në këtë aks rrugor ka filluar të normalizohet dhe policia ka kryer procedurat e nevojshme për aksidentet e evidentuara.
“Ne në vazhdimësi kemi kërkuar nga drejtuesit e automjeteve që të kenë kujdes dhe shpejtësinë e automjeteve ta përshtatin gjithnjë me kushtet dhe rrethanat në rrugët që ata qarkullojnë. Vetëm ne këtë mënyrë aksidentet mund të reduktohen dhe të kemi një siguri më të madhe nëpër rrugët tona”, thotë ai.
Sipas tij, policia po ndërmerr dhe do të ndërmerr veprime ligjore ndaj të gjithë atyre që shkelin rregullat në trafik apo rrezikojnë sigurinë e pjesëmarrësve tjerë në trafik.