Sindikata e pavarur e sektorit privat ka mbajtur konferencën e fundit për media lidhur me gjendjen e punëtorëve në sektorin privat. Aty u tha se në vitin 2018 u shënuan më së shumti raste të vdekjeve të punëtorëve në vendin e punës.
Kreu i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi. tha se për 12 muaj janë regjistruar 23 vdekje në vendin e punës.
“Kjo sindikatë duhet të fillojë me lajme jo te mira në vitin 2018 kemi mëse 23 raste të vdekjeve të punëtorëve në vendin e punës, fatkeqësisht kemi numër rekord. Ky vit është viti fatkeqësisht rekord me 23 të vdekur” tha kryetari i sindikatës, Jusuf Azemi.
Sipas tij, inspektorati ka dështuar të kryej punën e vet dhe si pasojë është numri kaq i lartë i rasteve të tilla.
“Deri të rastet e vdekjeve vjen si mungese e edukimit të pronarëve për të cilit shteti nuk ka bë fare lidhur me këtë lidhshmëri e gjitha çka ka bërë shteti është një reagim. Si barrë kryesore të vijnë deri të vdekjet është ministria e punës të cilët duhet të përcjellin punën dhe shëndetin e punëtorëve. Ne me bindje të plotë themi se inspektorati ka dështuar”.
Azemi po ashtu tha se rreth 50% e punëtorëve të sektorit privat punojnë pa kontrata pune, pa siguri e një pjesë e tyre janë edhe nën moshë madhore.
Në këtë mënyrë, ai tha se shteti po bën krim ndaj punëtorëve të sektorit privat dhe situatën aktuale e ka quajtur gjendje jashtëzakonisht e rrezikshme.
Azemi kërkoi që Qeveria të formojë një fond social, në mënyrë që ta ketë për mbështetje në rastet kur bëhet padrejtësi ndaj punëtorëve në vendin e punës.
“Punëtoret ne sektorin privat janë duke punuar në kushte tejet të vështira. Punëtoret deklarojnë se vijnë inspektorët i tërheqin vërejtjet pronarëve por megjithatë mjafton një takim i pronarëve me inspektorët dhe gjendja nuk ndryshon. Mbi 80% e shohin vendin e tyre si transitor deri tu jepet mundësia me dal jashtë. Mbi 50% janë pa kontrata pune”.
“Që nga viti 2011 asnjë qeveritar as kryeministri i tashëm që ka premtuar që do bëjë ndryshimin e pagës minimale për kureshtjen tonë ende nuk e dimë pse kryeministri pagën e vet mund të bëjë 3000 euro e nuk mund të lëviz pagën e punëtorëve nga 120 në 250 euro. Shteti ka ardh në atë fazë qe shteti është i lidhur me pronarët e kompanive”, tha kryetari Azemi.