Për “reklamimin” e aktiviteteve bamirëse…

Prishtinë | 22 Jan 2019 | 16:47 | Nga Arianit Koci

Shumë kritika u dhanë këtë javë në adresën e aktivistit dhe drejtuesit të organizatës “Jetimat e Ballkanit” me pretendimin se bamirësia e përcjellur me kamera është më pak e vlefshme se sa ajo që bëhet fshehur. Sipas rregullave të fesë Islame, kjo mund të jetë e vërtetë!

“Të mos dijë dora e majtë, çfarë dha dora e djathtë” thotë një porosi e profetit Muhamed a.s.

Madje, disa të tjerë, mendojnë (çdokush ka të drejtë në mendimin e vet), se me veprime të tilla, aktivisti dhe drejtuesi i kësaj organizate po “vet-reklamohet” duke keqpërdorur situatën e rëndë financiare të personave në nevojë.

Megjithatë, për rrethanat e çështjes konkrete, unë kam një mendim ndryshe!

Personi në fjalë udhëheq një organizatë bamirëse joqeveritare, e cila është e regjistruar në bazë të ligjeve në fuqi dhe e cila ka një mision: ofrimin e ndihmës personave në nevojë!

Përcjellja e aktiviteteve të OJQ-së me kamera, fotoaparate dhe kumtesa për shtyp është veprim i zakonshëm për çdo organizatë të shoqërisë civile. Organizatat në këtë mënyrë dëshmojnë kryerjen e zotimeve pranë donatorëve aktual dhe përfitojnë bësimin e donatorëve të tjerë potencial që mund të kontribojnë në mbledhjen e fondeve për aktivitetet e ardhshme.

Ajo për çfarë organizata duhet të ketë kujdes të veçantë:

1) Privatësia e fëmijëve që shfaqen në fotografi dhe video. Sipas konventave ndërkombëtare, gjatë gjirimit dhe marrjes së fotografive në aktivitet e saj, organizata duhet të marrë shprehimisht pëlqimin e prindërve, duke ua bërë me dije arsyen dhe mënyrën e përdorimit të imazhit të fëmijës. Në çdo rrethanë, për shkak të interesit më të mirë të fëmijës dhe mundësisë që i njejti të nënçmohet, të shikohet apo trajtohet “ndryshe” nga bashkëmoshatarët osë të tjerët për shkak të gjendjes ekonomiko-sociale të tij, preferohet që organizata të “mjegullojë” fytyrat e fëmijëve në gjirimet dhe fotografitë e saj.

2) Shmangja e involvimit dhe shfaqjes së politikanëve në aktivitetet e OJQ-së. Parimisht, OJQ-të zhvillojnë aktivitete jofitimprurëse. Aktivitetet që zhvillohen duke i shfaqur politikanët, shëndërrohen në aktivitete reklamuese dhe fitimprurëse për politikanët, ku ndarja e ndihmës mund të shihet si “tregti për votë”.

Mendimi im.

Të ngjashme