Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, ka thënë se Luka Modric e meriton ta fitojë edhe një tjetër Top të Artë duke e parë formën e mrekullueshme që po e shfaq këtë sezon.
Mesfushori i Kroacisë Modric e shënoi një gol mahnitës për t’i ndihmuar Real Madridit ta mundë 2:0 Athletic Bilbaon në finale të Superkupës së Spanjës të dielën, raporton Gazeta Express.
Pas ndeshjes, Perezi e lartësoi kroat dhe portierin Thibaut Courtois, duke thënë se ata janë më të mirët në botë në pozitat e tyre përkatëse.
“Pa dashur të mburrem, ata janë lojtarët më të mirë në botë në pozitat e tyre”, tha Perez.
“Modric është në formë për lakmi, ai e meriton edhe një Top të Artë”, shtoi ai.
Modric, 36-vjeçar, pritet të arrijë marrëveshje për kontratë të re me Real Madridin, pasi ajo e tanishmja i mbaron më 30 qershor.
Mesfushori kroat e kishte fituar Topin e Artë më 2018 dhe Perez beson se ai e meriton edhe një tjetër tani.