Përforcimi i madh i Z Mobile Prishtinës, Fahro Alihoxhiq, pritet të mos e zhvillojë asnjë ndeshje këtë edicion me ekipin bardhekaltër, shkruan sot Koha Ditore.
Te Prishtina kanë bërë të ditur se Alihoxhiq do të largohet për t’u kthyer për edicionin e ardhshëm. Kështu ka thënë drejtori i përgjithshëm i klubit Florian Miftari.
Qendra Alihoxhiq (208 cm) erdhi me bujë të madhe te Prishtina dhe pritej ta ndihmonte ekipin në garat evropiane, por lëndimi i rëndë ia pamundësoi atij që të dëshmojë veten nën kosh.
Ai para fillimit të edicionit, në ndeshjen kontrolluese ndaj Mornarit u lëndua pas vetëm tre minutave lojë. Alihoxhiq lëndoi ligamentet e gjurit të djathtë dhe operimit iu nënshtrua para tri javësh.