Pas një pune të detajuar në terren, në zonën kadastrale 3425 Shtiqën Kukës, përfundoi regjistrimi fillestar, që përfshin 7590 pasuri.
Puna e bashkisë Kukës dhe e Kadastrës Shqiptare, u përqendrua në këtë zonë, edhe për të mbështetur ndërtimin e aeroportit të Kukësit.
Prej datës 24 dhjetor, i gjithë materiali hartografik është hedhur në sistemin e ASHK dhe, të gjithë fshatarët që kanë prona bujqësore apo banesa në këtë zonë, janë të ftuar të aplikojnë pranë Drejtorisë Rajonale të Kadastrës Kukës, për t’u pajisur me Cerifikatën e pronësisë për pronën e tyre.
Kjo certifikatë është e domosdoshme për t’u përfshirë në procesin e shpronësimit për interes publik të pronave që prek ndërtimi i aeroportit.
Nga data 24 dhjetor e në vijim, sportelet e Kadastrës Kukës janë në dispozicionin tuaj për aplikimin si edhe për çdo sqarim të nevojshëm.
Ndërkohë punimet për ndërtimin e aeroportit të Kukësit po vijojnë me ritme të larta, ndërsa ky aeroport konsiderohet si potencial i jashtëzakonshëm për të gjithë ekonominë kombëtare dhe një projekt strategjik për shkak dhe të vendndodhjes së tij midis Tiranës dhe Prishtinës.
Aeroporti i Kukësit do të mundësojë fluturime me kosto të ulët, ndërsa do të sjellë një erë të re zhvillimi për të gjithë zonën. Ai shihet edhe si një gjenerator i mijëra vendeve të reja të punës që do të hapen vit pas viti si rezultat i zhvillimit të biznesit dhe ekonomisë lokale/ATSH.