Përfundon shpronësimi për rrugën Prishtinë-Podujevë? Hapet tenderi 38 milionë €

Prishtinë | 09 Jan 2023 | 12:06 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Infrastrukturës ka hapur sot afatin e pranimit të tenderëve për ndërtimin e rrugës nacionale Prishtinë-Besi-Podujevë.

Për kryerjen e punimeve në këtë rrugë nacionale, i cili është një zotim i Qeverisë së Kosovës, janë vënë në dispozicion 38 milionë euro, raporton Paparaci.

Bazuar në të dhënat e njoftimit për kontratë, të publikuar në platformën online të prokurimit publik, afati për pranimin e tenderëve është data 15 shkurt e këtij viti.

Me hapjen e tenderit për ndërtimin e kësaj rruge nacionale, nënkuptohet se ka marrë fund edhe procesi i shpronësimit të pronave përgjatë trasesë së rrugës.

Në fund të vitit të kaluar, në një konferencë të fundvitit, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi tha se beson që deri në pranverë do të nënshkruhet kontrata dhe do të fillojnë punimet për rrugën nacionale Prishtinë-Besi-Podujevë.

Durmishi tha se nuk do të fillojë procedurat e prokurimit ka përfunduar, fillimisht, procedurat e shpronësimit.

“Ne jemi të bindur se nuk do të fillojmë as një procedurë të prokurorimit pa përfunduar procedura e shpronësimit. Në pranverë do t’i kemi kontrata e nënshkruara dhe do të fillojnë punimet”, tha ai.

Në të njëjtën konferencë për media, ministri Liburn Aliu konfirmoi se ka marrë deklaratën për disponueshmërinë e mjeteve nga ministri i Financave, Hekuran Murati lidhur me projektin e rrugës Podujevë-Prishtinë. 

Të ngjashme