Një shpërthim i coronavirusit që filloi në Kinë ka infektuar më shumë se 75,000 njerëz në nivel global, sipas Organizatës Botërore të Shëndetit.
Fotografitë nga e gjithë Azia dhe Evropa tregojnë pikat e kontrollit të biosigurisë, dezinfektimit, radhë të gjata për të blerë maska dhe madje demonstrime për të kërkuar një përgjigje proaktive qeveritare ndaj rreziqeve të përhapjes së coronavirusit, transmeton Telegrafi.
Skena të jashtëzakonshme të përgjigjes njerëzore ndaj shpërthimit janë kapur nga fotografët pasi sëmundja përhapet në Evropë dhe gjetkë.
Në fillim të shkurtit Hong Kong mbylli pothuajse të gjitha vendkalimet e saj kufitare me Kinën për të frenuar përhapjen e coronavirusit. Që nga janari, 62 njerëz u infektuan me coronavirus dhe dy vdiqën.
Japonia ka konfirmuar 99 njerëz të tjerë që janë infektuar në anije lundrimi që janë vendosur në karantinë, duke sjellë numrin total të rasteve në 454.
Koreja e Jugut ka raportuar 15 raste të reja të infeksionit me coronavirus të mërkurën, të cilat sollën numrin e përgjithshëm të rasteve të konfirmuara në 46.
Në fillim të shkurtit, Filipinet raportuan vdekjen e parë nga coronavirusi jashtë territorit të Kinës. Më 19 shkurt, tre persona në vend raportohet të jenë të infektuar.
Të hënën, më 17 shkurt, 44 të fundit të evakuuarve u lejuan të linin një strukturë karantine në jug të Francës.
Më parë, rreth 200 qytetarë francezë janë vendosur atje pasi u kthyen nga Wuhan, epiqendra e epidemisë.
Të evakuuarit u mbajtën nën roje të armatosura në një kamp pushimesh ku ishin të lirë të shëtisnin brenda, por ishin të detyruar të mbanin maska mjekësore.
Sipas shifrave të fundit, Franca ka 12 raste të konfirmuara të infeksionit me coronavirus dhe një vdekje.
Një fluturim special solli 312 qytetarë të Bangladeshist nga Wuhan, duke përfshirë tetë të cilët ishin shtruar në spital me temperaturë të lartë.
Në Vietnam, autoritetet kanë këshilluar studentët të veshin maska në shkollë. Që nga 19 shkurt, Vietnami konfirmoi 16 persona të infektuar nga virusi.