Në 20 vjetorin e rënies së heroit gjeneral-major, Adrian Krasniqi është organizuar akademi përkujtimore në bibliotekën “Pjetër Bodgani”.
Më këtë rast kryeministri, Ramush Haradinaj, tha se gjenerali Krasniqi ishte pjesë e celulave të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), raporton Ekonomia Online. Haradinja më tej shtoi se Krasniqi ishte ndër luftëtarët e guximshëm.
“Adriani është brezi i parë i luftëtarëve dhe familje luftarësh ndër shekuj dhe është njëri nga ata që i vuri themel luftës sonë për liri është me rëndësi të themi se ai ka qenë largpamës pra ishte nga ata që kishte vizion dhe ishte i formuar aq shumë jo vetëm për rëndësinë e lirisë por edhe i asaj se çfarë do të ndodh me popullin në liri”.
“Ishte i gatshëm që përveç organizimit dhe përhapjes së ideologjisë së lirisë ai kishte kapacitetin që farën e lirisë me e mbjell tek moshatarët e tij të cilët më vonë do të ndjekshin këtë rrugë pra rrugën e lirisë jo vetëm të Kosovës, por edhe të Shqipërisë”.
Ish-anëtari i shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, dhe deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, tha se tash e 20 vite barra e lirisë ka mbetur nën supet e atyre që ranë për të.
Ai tha se historia e tyre ka mbetur pa u shkruar për shkak se nuk pati vullnet për tu bërë një gjë e tillë.
“Tash e 20 vite barra e lirisë së Kosovës po peshon në supet e dëshmorëve të Kosovës. Ne ende i ruajmë gjërat e tij si kujtim ende ja ndjejmë zërin e tij. Ne nuk mund ta shkruajmë historinë e tij këtë. Do të duhej ta bënte Kosova e tij. Do ta ruajmë Adrianin në kujtimet tona ashtu siç ishte Ardiani si luftëtar i lirisë. Do ta kujtojmë se Adriani i mbushte luftëtarët e UÇK me armë. Do ta kujtojmë se Adrian Krasniqi ishte një ndër themeluesit e UÇK-së. Kosova nuk e ka historinë e shkruar të UÇK, jo pse nuk ka histori për UÇK por sepse nuk po ka historian për këtë, historinë nuk mund ta shkruajnë ata që e bënë. Ai ishte luftëtarë dhe themeltar, por veç kujtimet nuk mjaftojnë. Ne duhet të ja ruajmë Kosovën për të cilën ai ra”, tha ai.
Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Paskal Milo, tha se po të mos ishin ushtarët si Adriani, Kosova nuk do të kishte mbështetjen që ka pasur nga Shqipëria. Ai tha se lufta e UÇK-së jo vetëm që kontribuoi në lirinë e Kosovës, por edhe në stabilitetin e Shqipërisë.
“Është e vështir të flitet për heronj në mesin e heronjve dhe këtu ka shumë ish luftëtar që ne jemi një minorancë që duhet të dëgjojmë nga ata që e bënë luftën dhe duhet të përkulemi para veprës heroike të atyre që ranë për vendin. Nuk kam ndërmend të them çka ka bërë Adriani sepse ju e dini këtë dhe më duhet të them që në momentin që ka rënë Adriani unë s kisha veç 2 tre muaj që isha bërë ministër i jashtëm dhe mënyra se si ne e perceptonim luftën më Kosovë ka qenë disi edhe më e thjeshtë për shkak të informacioneve të pakta që kishim për terrenin. Ne nëse nuk do të ishte Adriani apo Zahiri apo shumë e shumë luftëtar të tjerë mes të cilëve kemi edhe këtu edhe politika e Shqipërisë në atë kohë do të ishte më e zbehte dhe e përulur por merita e Adrianit ka qenë pikërisht kjo që edhe shtetin Shqiptar me aktivitetin e tyre e vunë në lëvizje”.
“Në atë kohë na kërkohej që ti cilësonim si terrorist dhe të mos i mbështesnim. Sigurisht që nuk ishte e lehtë sepse jam ballafaquar drejtpërdrejt me ministra dhe ndash edhe me mbretër që na kërkonin që të mos ju mbështesnim ose maksimumi që na kërkonin ishte ajo e ashtuquajtur autonomi substanciale të Serbisë. Por pse ne u inkurajuam kaq shumë ishte thjesht nga armët tuaja që kërcisnin nëpër Kosovë. Ju na trimëruat dhe ju na bëtë diplomat të shquar sepse ju ishit në të drejtën tuaj dhe në atë kohë të vështira ju dhe luftëtarët e lirisë kanë qenë të gjithë kontributor edhe për stabilizimin e Shqipërisë ede për lirinë e Kosovës”.
Rifat Jashari, tha se i mbetet të gjallëve që luftën e atyre që ranë duhet ta qojnë përpara deri aty ku dëshiruan dëshmorët.
Ardian Krasniqi është vrarë më 16 tetor të vitit 1997, gjatë një sulmi të UÇK-së në stacionin e policisë serbe, në Kliçinë, në afërsi të Pejës, e cila ishte një pikë strategjike e forcave policore dhe ushtarake serbe.
Me rastin e 12 vjetorit të rënies, në Pejë është ngrit shtatorja e Krasniqit, e punuar nga skulptori Mumtas Dhrami. Kurse në 17 vjetorin e rënies është emetuar pulla postare në emër të dëshmorit gjeneral Adrian Krasniqi, raporton EO.