Janë përkujtuar viktimat e masakrës së tregut në Mitrovicë, që ndodhi 19 vjet më parë në tregun kryesor, në qendër të qytetit të Mitrovicës, kur forcat barbare serbe hodhën një minahedhës derisa tregu ishte përplot me njerëz.
Si pasojë e hedhjes së granatës, në treg mbetën të vdekur gjashtë persona, në mesin e të cilëve kishte fëmijë dhe gra, ndërsa që lëndime të rënda dhe të lehta morën 128 shqiptarë.
Përfaqësues të institucioneve komunale, nënkryetari i komunës, Faruk Mujka dhe përfaqësues të institucioneve e asociacioneve të tjera, familjarë të martirëve dhe familjarë të viktimave u tubuan të martën në vendin e ngjarjes për të nderuar viktimat dhe për të kujtuar këtë ditë.
Mujka tha se ajo ditë ishte e llahtarshme në Mitrovicë, pasi që në tërë tregun shiheshin viktimat e vdekura e të plagosura.
“Shumë prej të plagosurve kanë mbetur invalidë të përjetshëm, ndërsa një numër i konsideruar i tyre mbajnë proteza edhe sot në gjymtyrë. Kjo ditë nuk do të harrohet asnjëherë, por do të kujtohet përgjithmonë në mënyrë që gjeneratave të reja tu tregohet se çka ka qenë në gjendje të bëjë armiku ndaj popullit tonë të pafajshëm”.
Në vendin e ngjarjes, ku 19 vite më parë kishte ndodhur atentati folën edhe Sabedin Uka dhe Azem Beqiri, të cilët kishin pësuar rëndë, sepse u ishin dëmtuar këmbët, duart e pjesët tjera të trupit.
Ata kërkuan nga institucionet e shtetit që të bëjnë më shumë për ta, pasi jeta e tyre është mjaft e rëndë.