Projekti “Përkrahje e Partnerëve Socialë” e ka arritur qëllimin e tij, rritjen e cilësisë së dialogut social në Kosovë. Kjo është thënë nga të gjithë partnerët social në Kosovë, punëdhënësit, punëmarrësit dhe qeveria në përmbylljen e këtij projekti që është financuar nga Bashkimi Evropian.
Projekti që nga nëntori i vitit 2013, për tri vjet më radhë, ka kontribuar në rritjen e cilësisë së dialogut social në Kosovë nëpërmjet lehtësimit të procesit dhe rritjes së pjesëmarrjes në politikat zhvillimore.
Partnerët kryesorë të këtij projekti kanë qenë Fondacioni “Friedrich Ebert”, Oda Ekonomike e Kosovës, Aleanca Kosovare e Bizneseve, BSPK-ja dhe disa sindikata të tjera si ajo e Energjetikës dhe Metalistëve.
Në ceremoninë përmbyllëse, drejtoresha ekzekutive e IKS, Florina Duli, tha se projekti “Përkrahje Partnerëve Socialë – PPS” është kurorëzuar me një arritje mjaftë të madhe e që është përveç tjerash sjellja e drejtësisë sociale në diskursin publik.
Në anën tjetër, Izedin Bytyqi, sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, tha se ky projekt ka ndihmuar shumë në bashkimin e sindikatave dhe në rritjen e dialogimit në mes të palëve.
Projekti ka përkrahur disa tryeza për diskutimin e amandamentimit të Ligjit të Punës. Bytyqi tha se praktika e dialogimit që është instaluar nga projekti do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
“Përmirësimi i dialogut sociale, sidomos amandamentimi i ligjit të punës është kusht i BE-së për Kosovës. Për këtë projekt janë mbajtur një sërë aktivitetesh dhe në si ministri do të vazhdojmë edhe me teje në promovimin e dialogut sociale”, tha Bytyqi.
Nënkryetari i Bashkimit të Sindikatave të Kosovës (BSPK), Alush Sejdiu, tha se falë këtij projekti janë mbajtur shumë vizita studimore, të cilat kanë qenë mjaftë të dobishme për përfaqësuesit nga Kosova.
Kurse, kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi, ka thënë se synimi i projektit është arritur, pasi tash dialogu është shumë më i frytshëm në mes të partnerëve social se sa që ka qenë vite më parë.
Koordinatorja e Programit të FES, Besa Luzha, tha se projekti përveç hulumtimeve dhe mbështetjes së reformës Sindikale, ka përdorur mekanizma te larmishëm për të sjellë çështjet sociale më afër qytetarit, duke diversifikuar kështu edhe numrin e aktorëve të angazhuar rreth dialogut social.
“Projekti ‘Përkrahje e Partnerëve Socialë’ ka kontribuar shume në temën e dialogut social. Synimi ka qenë informimi i qytetarëve për rendësin e këtij projekti. E kemi edhe një sfidë në formimin e partnerëve që t’i shtyjmë këto çështje që prekin çdo qytetare të vendit. Pavarësisht se projekti po përfundon tema e dialogut social do të vazhdoj edhe në të ardhmen”, tha Luzha.
Projekti ka ndihmuar sindikatat më një sërë punëtorish për të rritur aftësitë e tyre në tërheqjen e anëtarësisë së re, për hartimin dhe zbatimin e projekteve dhe mirë-menaxhimin e financave.
Është kërkuar që projekte të tilla të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Gjithashtu, është kërkuar që puna e Këshillit Ekonomiko Social të pasqyrohet edhe më shumë në publik.
Në ceremoninë përmbyllës u prezantuan edhe dy analiza si: reforma e Pensioneve në Kosovë si dhe Dokumente Pozicionuese, të cilat janë bërë në kuadër të projektit Përkrahje Partnerëve Socialë.
Projekti që nisi në nëntor 2013 është financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian dhe është implementuar nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS).