“Simple Life”, “Priza Project” dhe “CEDX”, janë projektet fituese të punëtorisë treditore ”StartUP”, që u mbajt në kuadër të Javës së Inovacionit në UBT, organizuar nga Qendra për Inovacione Sociale “Colibri”.
“Simple Life” është projekt i cili parasheh ndërtimin e një shkopi digjital për të verbrit, duke ua lehtësuar kështu jetën mbi 6000 kosovarëve që aktualisht janë të verbër, por po ashtu, do të synohet që të arrihet edhe deri tek tregu i jashtëm i shitjes.
Ideatorët e projektit “Priza Project” synojnë që të krijojë një prizë shumëfunksionale, që do ta lehtësojë jetën e njerëzve në këtë epokë të digjitalizimit dhe shpikjeve teknologjike. Ndërsa, projekti “CEDX” ka për qëllim që të bëjë themelimin e qendrës për trajnime në fushën e teknologjisë dhe do të momentalisht do të shtrihet vetëm në Pejë, sepse një qendër e tillë i ka munguar këtij qyteti.
Vlen të theksohet që të gjitha projektet fituese do të mbështeten financiarisht për shndërrimin e projekteve të tyre në produkte konkrete dhe të gatshme për shfrytëzim, teksa edhe projektet tjera do të kenë mbështetje për zhvillim të mëtutjeshëm nga qendra “Colibri”.
Kjo punëtori kishte për qëllim që të zgjojë kreativitetin e këtyre të rinjve dhe i njëjti të shfrytëzohet e shndërrohet në projekte konkrete, që ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe jo vetëm, pasi disa nga këto produkte që do të dalin nga kjo punëtori, synojnë edhe tregun e jashtëm.