Përmes Kinemasë: Europe House shfaq tre filma kosovarë që trajtojnë migrimin

Prishtinë | 18 Dhj 2024 | 20:21 | Nga Ekonomia Online

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Migrantëve, Europe House ka organizuar një shfaqje speciale me tre filma të regjisorit kosovar, Samir Karahoda, raporton Ekonomia Online. 

Filmat që janë shfaqur janë “Në Mes” (2019), “Pa Vend” (2021) dhe “Rrugës” (2024), të cilët trajtojnë temën e migrimit, një temë e pranishme në kontekstin e Kosovës dhe rajonit.

Regjisori ka theksuar se e përbashkët ndërmjet këtyre filmave është trajtimi i fenomenit të migrimit, përveç tematikave të tjera që i prekin ata. 

“‘Në Mes’, që është prodhuar në vitin 2019, ‘Pa Vend’ 2021 dhe filmi ‘Rrugës’ që është prodhuar këtë vit. E përbashkëta e këtyre filmave është tema e migrimit, përveç temave të tjera, ajo është pjesë kryesore. Andaj edhe është propozuar nga Zyra e Bashkimit Evropian që këta filma me u shfaqë në Ditën Ndërkombëtare të Migrantëve” .

“Migrimi është një temë kryesore, e cila ndërlidhet ngushtë me jetën e kosovarëve”, ka deklaruar ai.

Ky projekt është mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian, e cila e ka propozuar shfaqjen e këtyre filmave për të pasqyruar realitetin e migrimit dhe sfidat që ky fenomen sjell. 

Sipas regjisorit, filmat kanë pasur një sukses të madh dhe janë shfaqur në shumë vende të Evropës. Ai e ka theksuar se filmi “Në Mes” ka pasur premierën e tij në Festivalin e Filmit në Berlin, duke e pozicionuar kështu filmin dhe regjisorin në një nivel të njohur ndërkombëtar.

“Ata portretizojnë jetën e kosovarëve, përpjekjet e tyre dhe pasigurinë që shpesh shoqëron migrimin”, ka përfunduar ai.

Këta filma janë një mundësi e shkëlqyer për të kuptuar më mirë sfidat dhe mundësitë që përballen qytetarët e Kosovës, si dhe për të reflektuar mbi realitetin e migrimit në kohët e sotme.

Të ngjashme