Përmes pikturave kundër ekstremizmit të dhunshëm

Gjilan | 17 Maj 2017 | 15:22 | Nga

Nxënësit dhe artistët e rinj në Gjilan, zhvilluan sot aktivitetin kulturor për të shprehur angazhimin dhe vullnetin e tyre rinor kundër radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Aktiviteti u organizua nga Qendra Psikologjike APONIA, partner implementues i aktiviteteve me Qendrën Kërkimore për Politika të Sigurisë – SPRC.

Drejtori ekzekutiv i SPRC-së, Burim Ramadani i cili theksoi “mesazhi që del nga ju të rinjtë, nxënës e artistë të Gjilanit, është mesazh i vullnetit të palëkundur për të parandaluar dukuritë negative. Radikalizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm marrin përgjigje të saktë përmes aktivitetit tuaj. Ju shprehni pasionin tuaj kulturor, duke vënë në sipërfaqe mesazhin që të rinjtë duhet të zhvillojnë aftësitë e veta, jo të viktimizohen nga ideologji të ndryshme”.

Mesazhet e bashkëjetesës, tolerancës dhe punës së përbashkët në parandalimin e dukurive të këqija jepen më së miri në komunitet, nga të rinjtë, me iniciativa lokale. Të gjithë mund të kontribuojmë në parandalimin e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Qasja e butë, mesazhet pozitive e promovuese, aktivitetet kulturore e rinore paraqesin një prej shtyllave bazë në këtë synim të përbashkët.

Drejtoresha e Qendrës APONIA, Vjollca Zymberi, tha se aktivitetet e këtilla janë mënyra më e mirë për të parandaluar përhapjen e cfarëdo ideologjie ekstremiste.

Ndërsa, Koordinatori i Mekanizmit Referues, Fadil Kajtazi, theksoi angazhimin e këtij Mekanizmi dhe të institucioneve lokale në Komunën e Gjilanit në ngritjen e bashkëpunimit midis të rinjve, nxënësve, familjeve dhe komunitetit për të arritur qëllimet e përbashkëta të tolerancës dhe jetës më të mirë.

Aktivitetet e këtilla zbatohen nga SPRC dhe RRJETI i Organizatave Partnere, në kuadër të projektit “Promovimi i Angazhimit të shoqërisë civile kundër ekstremizmit të dhunshëm”, që mbështetet nga USAID/ATRC.

SPRC dhe RRJETI i Organizatave Partnere do të implementojë edhe mbi 40 aktivitete gjatë javëve në vijim, ndërsa nesër do të zhvillohet diskutimi me gratë vendimmarrëse nga fusha të ndryshme në Komunën e Pejës. Aktiviteti në Pejë realizohet në partneritet me Organizatën Syri i Vizionit dhe KVRL- Pejë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme