Përplasi me gomone pushuesit në shezlonge, arrestohet “piloti” i Jalës

Prishtinë | 17 Kor 2022 | 10:24 | Nga Ekonomia Online

Arrestohet Gjergji Priftuli, 37-vjeç drejtuesi i gomones që doli nga kontrolli dhe goditi pushuesit në plazhin e Jalës në jug të Shqipërisë.

Siç duket nga pamjet, ngjarja ka ndodhur kur dy mjete lundruese kanë qenë duke kryer manovra në det në distancë të afërt me vijën bregdetare ku qëndrojnë pushuesit.

Të lënduar kanë mbetur një çift pushuesish, konkretisht një 31-vjeçar dhe një vajzë 25-vjeçe.

Dy pushuesit e lënduar janë transportuar në Spitalin e Himarës, fatmirësisht jashtë rrezikut pasi djali ka marrë lëndime në këmbë, ndërsa vajza gërvishtje të lehta.

Njoftimi i policisë

Humbi kontrollin e mjetit lundrues dhe për pasojë dëmtoi dy pushues që ishin në breg të detit, vihet në pranga 37-vjeçari. Sekuestrohet mjeti lundrues tip gomone.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë, në vijim të veprimeve hetimore, në lidhje me ngjarjen e ndodhur paraditen e djeshme, në plazhin Jalë, arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, shtetasin Gj. P., 37 vjeç, banues në Tiranë.

Shtetasi Gj. P., duke drejtuar mjetin lundrues tip gomone, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe ka dalë në breg të detit duke dëmtuar shtetasit A. S., 31 vjeç dhe E. Gj., 25 vjeçe, të cilët aktualisht ndodhen në spitalin e Traumës, nën kujdesin mjekësor.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Të ngjashme