Përplasja e VV-së me PSD-në për tenderin e qumështit: I keni në qejf shpifjet

Prishtinë | 04 Jan 2019 | 17:26 | Nga Ekonomia Online

Këshilltar i Shpend Ahmeti, Gëzon Kastrati i ka quajtur shpifje deklaratat e Lëvizjes Vetëvendosje, për tenderin me qumështin e shujtave për fëmijët nga klasa e parë deri në të pestën.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Kastrati ka treguar një link ku thotë se tenderi për qumështin e shujtave ka filluar në vitin 2015 dhe ka qenë publikë në faqen zyrtare të Komunës.

“Së pari, shpërndarja e qumështit ka filluar në vitin 2015 dhe jo në vitin 2014 siç pretendojnë këta mashtrues të publikut. Për të dëshmuar këtë të bashkëngjitur e keni publikimin zyrtar ku prezent ishin edhe tashmë dy deputetet e VV-së, Arbërie Nagavci dhe Fitore Pacolli. Së dyti, në vitin 2015 shpërndarja e qumështit ka filluar më 9 nëntor, më pak se dy muaj para përfundimit të vitit, ndërsa në vitin 2018 është i përfshirë i gjithë viti, apo rreth 8 muaj. Edhe për datën e fillimit e keni të bashkëngjitur dëshminë e datës së publikimit zyrtar. E treta, tenderi ka qenë publik dhe të gjithë dokumentet tjera janë gjithashtu publike”, ka shkruar Kastrati.

Ndër tjera Kastrati ka thënë se Vetëvendosje i ka në qejf shpifjet.

“Dhe e fundit, edhe vitin e kaluar, sikurse çdo vit më parë çmimi i qumështit është shumë më lirë sesa çmimet në treg. VV-ja e di shumë mirë që kjo nuk është e vërtetë por udhëhiqet nga parimi, shpif sa më shumë sepse diçka mbetet. Edhe pse shpifjet dhe matematikën i ka për qefi, kryetari i VV-së paska dështuar në të dyja”, kas përfunduar Kastrati.

Asamblisti i VV-së, në komunën e Prishtinës Eman Rrahmani, sot gjatë ditës ka mbajtur konferencë për media ku e ka akuzuar Ahmetin për dëmtim të buxhetit të Komunës për 500 mijë euro.

Ai akuzonte se tenderi për qumështin e shujtave në vitin 2014 kishte kushtuar 200 mijë euro, ndërsa i njëjti tender, me të njëjtin produkt në vitin 2017 ka kushtuar 730 mijë euro.

Ndërsa Shpend Ahmeti ka thënë shkurt se do ta padisë VV-në për shpifje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme