Përurohet Murali i Energjisë së Mirë – Szunyog: BE-ja po e mbështet Kosovën që t’i përmbushë standardet për energjinë e gjelbër

Prishtinë | 09 Maj 2023 | 11:54 | Nga Enea Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian, ambasadori, Tomas Szunyog, në shënim të Ditës së Evropës, së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e kanë përuruar Muralin e Energjisë së Mirë, të pikturuar në murin anësor të ndërtesës së BE-së, raporton Ekonomia Online.

Teksa uroi Ditën e Evropës, Szyoung tha se Bashkimi Evropian është i përkushtuar që ta ndihmojë Kosovën në sektorin e energjisë, mes tjerash, sidomos pas shtrenjtimit të çmimit të energjisë elektrike, si pasojë e luftës në Ukrainë.

“Bashkimi Evropian është një projekt i ndërtimit të paqes dhe jemi mjaft të shqetësuar për luftën në Ukrainë. Kjo luftë nuk po e prek vetëm Ukrainën, por gjithë Evropën. Kjo luftë ka pasur shumë pasoja, ndër to edhe rritjen e çmimit të energjisë, prandaj edhe jemi fokusuar që ta ndihmojmë Kosovën në këtë sektor”.

Ai tha se BE-ja po e mbështet Kosovën edhe që t’i përmbushë standardet e BE-së sa i përket energjisë së gjelbër, sepse sipas tij, ajo e ka vendin në BE.

“Jemi shumë të lumtur që së bashku me Qeverinë kemi finalizuar pakon e mbështetjes për energjinë. Por, jemi duke punuar edhe në projekte të tjera që ta ndihmojmë Kosovën në tranzicionin e gjelbër, që t’i arrijë qëllimet e ‘Marrëveshjes së Gjelbër’, por edhe që t’i përmbushë standardet e BE-së. Kosova dhe gjithë rajoni e kanë vendin në BE, prandaj kjo është i rëndësishme për ne. E shohim Kosovën, si dhe gjithë rajonin, si shtete të ardhshme të BE-së”.

“Në Ballkanin Perëndimor, BE-ja luan një rol vendimtar në promovimin e dialogut dhe pajtimit, veçanërisht ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh Szyoung.

“Është shumë e rëndësishme që negociatat për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve të vazhdojnë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe që ato të sjellin zgjidhje afatgjata për të mirën e popullatës në terren, dhe njëkohësisht duke ndërtuar ura ndërmjet komuniteteve”, shtoi ai.

Edhe pse sfidues, sipas shefit të Zyrës së BE-së viti i kaluar solli disa përparime, duke përfshirë udhëtimin pa viza për kosovarët në zonën Shengen që nga 1 janari 2024.

“Çështja e pazgjidhur e liberalizimit të vizave ka qenë si një re e zezë mbi marrëdhëniet BE-Kosovë gjatë dekadës së fundit dhe jam shumë i gëzuar të them se që nga 1 janari 2024, kosovarët nuk do të kenë më nevojë për viza për vizita turistike afatshkurtra në Zonën Shengen”, vuri në dukje Szunyog, duke falënderuar Presidencën çeke dhe suedeze të Këshillit të Bashkimit Evropian për kontributin e tyre në këtë drejtim.

Një tjetër arritje janë tri marrëveshjet financiare IPA të nënshkruara ndërmjet BE-së dhe Kosovës, duke përfshirë Pakon e Mbështetjes Energjetike, që rezultoi në sigurimin e më shumë se 200 milionë euro nga BE-ja për Kosovën si ndihmë e drejtpërdrejtë financiare, vetëm gjatë disa muajve të fundit.

“Ndihma e përgjithshme financiare e BE-së për Kosovën në kuadër të IPA-s, përkatësisht Instrumentit të BE-së për Ndihmën Para-Anëtarësimit, nga viti 2007 deri më sot, ka tejkaluar 1.4 miliard euro. Kjo ndihmë po përdoret për të ndihmuar Kosovën, ndër të tjera, për zhvillimin e ekonomisë dhe infrastrukturës së saj, për përmirësimin e arsimit dhe mbrojtjen e mjedisit si dhe përafrimin e legjislacionit të saj me acquis të BE-së”, tha Szunyog.

“Si ndihma jonë financiare ashtu edhe mbështetja me ekspertë janë të orientuara drejt avancimit të Kosovës në rrugën e saj të integrimit në BE. Shpresoj që deri në Ditën e Evropës të vitit të ardhshëm të kemi një zhvillim edhe më pozitiv për të festuar”, përfundoi Szunyog, duke u uruar të gjithëve Ditën e Evropës.

Ndërsa, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se murali e simbolizon të ardhmen evropiane dhe energjetike të Kosovës, teksa përmendi edhe vlerat evropiane të cilat, siç tha ajo, edhe Kosova i tregon.

“Murali që po shohim sot simbolizon në mënyrë perfekte të ardhmen tonë evropiane energjetike. Në këtë ditë qe po shënojmë Ditën e Evropës, vlen të theksohet se Bashkimi Evropian me rastin e agresionit rus mbi Ukrainën, ka treguar një unitet dhe që plotësisht i jetëson vlerat mbi të cilat është  themeluar, si paqen, demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Ne si shtet i Kosovës, megjithëse i ri, kemi treguar vlerat tona dhe se e kemi vendin askund tjetër, përpos në Bashkimin Evropian. Kemi shënuar shumë suksese, si liberalizimin e vizave, aplikimin për Këshillin e Evropës, aplikimin për anëtarësim në BE si dhe progres në të gjitha fushat e agjendës së BE-së”.

Ajo tutje ka përmendur edhe disa projekte që i ka cilësuar si të veçanta bnë sektorin e energjisë, si dhe ndihmën e BE-së për ballafaqimin me krizën, e cila ka qenë më e larta në rajon për kokë banori.

“BE ka qenë dhe mbetet një ndër partnerët tanë kyç i cili ndër vite na ka ndihmuar ta përforcojmë sektorin tonë të energjisë. Në veçanti, do ta përmendja projektin e fundit në Gjakovë për ngrohtoren e qytetit. Një investim prej 15 milionë eurosh, si dhe përkrahjen e projektit të ngrohjes solare qendrore në Prishtinë”.

“Kemi pasur një përkrahje të jashtëzakonshme nga BE-ja edhe për  përballje me krizën. Brenda një afati shumë të shkurtër, BE ka vënë në dispozicion 75 milionë euro, qe ka qenë vlera më e lartë për kokë banori ne rajon për një shtet”.

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës së Evropës, Szunyog do të marrë pjesë dhe në Masterklasën “Aftësitë e artit në rrugë”, si dhe në hapjen e ekspozitës “Vala tjetër”, në Shtëpinë e Evropës.

Dita do të mbyllet me koncertin “Chopin Piano Fest”, që do të mbahet në Bibliotekën Universitare të Kosovës.

Ndërkohë aktivitetet për shënimin e Javës së Evropës do të vazhdojnë edhe në ditët në vazhdim.

Të ngjashme