Nxënës e arsimtarë të ShFMU “Azem Bejta” në fshatin Kpuz të Klinës nga sot do të kenë kushte shumë më të mira për zhvillimin e procesit edukativo-arsimor. Kjo për shkak se objekti i ri shkollor modern, që ka kushtuar mbi 300 mijë euro, është përuruar sot dhe do të jetë në shërbim të nxënësve të Kpuzit e Qeskovës.
Në ceremoninë e përurimit, kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, i ka uruar nxënësit, arsimtarët dhe prindërit për ketë projekt kapital, që do të shërbejë për ngritjen e kapaciteteve në arsim.
“Sot ndjehemi të lumtur ngase njëherë e përgjithmonë po shkëputemi nga e kaluara jo e mirë e infrastrukturës shkollore dhe po hyjmë në një objekt të ri në të cilin janë kushtet shume më të mira për zhvillimin e mësimit. Të rinjtë e fshatrave Kpuz dhe Qeskovë tashmë kanë një bazë të mirë të edukimit, me hapësirë të mjaftueshme dhe moderne. Qeveria lokale është e përkushtuar në krijimin e kushteve sa më të mira në infrastrukturën arsimore. Të investosh në arsim, është investim në të ardhmen e këtij vendi”, tha kryetari Bashota.
Në ceremoninë përuruese, atasheu i Ambasadës Zvicerane, ka lavdëruar pushtetin lokal në Klinë për investimin në këtë shkollë dhe tha se nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa investimi në edukim.
Banorët e kësaj anë kanë falënderuar kryetarin Bashota për angazhimin në realizmin e këtij projekti shumë të rëndësishëm që ishte kërkesë e kamotshme e tyre, ndërsa Bashota ka premtuar realizimin edhe të projekteve tjera që janë në interes të komunitetit.