Afër 800 mijë euro është kostoja e renovimeve të Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, investim i përbashkët ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Të martën, këto hapësira u përuruan nën praninë e kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.
I pari i Qeverisë tha se hapësirat e Klinikës Emergjente i janë nënshtruar një renovimi të tërësishëm, hapësira këto që do të jenë më lehtë të qasshme për stafin dhe qytetarët që marrin shërbime.
Ai ka theksuar se tanimë “kushtet e punës janë në anën e mjekëve”, të cilët më herët përveç pacientëve, janë përballur edhe me kushtet e këqija të punës dhe vështirësitë e mëdha.
“Të gjithë e dimë se për mjekët që shërojnë dhe për pacientët që kërkojnë shërim, shumë më të rëndësishme janë kushtet e punës dhe shërimit përbrenda sesa dukja e jashtme dhe pikërisht në këtë po investojmë me rreth 800 mijë euro në Klinikën Emergjente me ç’rast i falënderohem operatorit ekonomik i cili një punë që është dashur të kryhet për diç më pak se 5 muaj e ka kryer për vetëm tre muaj. Kemi triazhimin, hapësirën për triazhim, kemi riorganizim të sportelit, kemi nyje sanitare dhe banjot e rregulluara dhe gjithashtu rritjet e numrit të shtretërve nga 20 në 25. Më herët, mjekët dhe infermierët që kanë qenë në Klinikën Emergjente nuk është dashur të përballen vetëm me rastet urgjente të sëmundjes ose të aksidenteve, të gjakderdhjeve dhe të minutave të fundit të jetës së njeriut që nuk dihet nëse do të shpëtojë ose jo, por është dashur të përballen edhe me kushtet e vështira të punës, është dashur të përballen edhe me vështirësitë e mëdha për ta shpëtuar pacientin”, u shpreh Kurti.
Tutje, ai ka shtuar se operatori ekonomik që ka kryer punën është vendor, njëlloj edhe inxhinierët e puntorët.
Në prononcimin e tij kryeministri shpjegoi se tashmë me renovimet e bëra, mjekësia dhe telemjekësia janë të integruara në një, falë kamerave që mundësojnë përcjelljen e operimeve në kohë reale.
“Në sallën e operimit pamë që tek ndriçimi ekzistojnë edhe kamerat, që do të thotë se operimi mund të përcjellët në kohë reale edhe nga ndonjë konzolium i mjekëve, i kirurgëve që ndodhet jashtë Qendrës Klinike Universitare, në këtë mënyrë mjekësia dhe telemjekësia janë të integruara në një, ashtu si janë ndriçimi i këndshëm e profesional me kamerën e cila e përcjellë në kohë reale operimin e pacientit apo të aksidentuarit”, deklaroi kryeministri Kurti.
Ndër të tjera, shtoi se pacientët në Klinikën Emergjente do t’i kenë shanset maksimale për shërim dhe për shpëtim, sepse i kemi mjekët e infermierët të përkushtuar bashkë me kushtet e dinjitetshme dhe moderne të punës.
“Ky investim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është një lloj mirënjohje e jona për profesionalizmin dhe për devotshmërinë e këtij stafi ndër shumë e shumë vite në kushte në të cilat kanë qenë kundër tyre e jo në shërbim të tyre”, përfundoi kryeministri, duke falënderuar personelin shëndetësor.