Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kanë dështuar të mbahen të gjitha seanca e parapara për të martën, ndërsa ndër to edhe dy seanca të korrupsionit, e gjithë kjo për shkak të grevës së personelit administrativ të kësaj gjykate.
Por, përparësi kanë pasur vetëm rastet e paraburgimit si dhe të dhunës në familje, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Shtyrjen e të gjitha seancave e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
“Gjykata Themelore në Prishtinë nuk posedon numër të saktë të seancave gjyqësore, të cilat nuk janë mbajtur sot, si pasojë e grevës e cila është duke vazhduar të mbahet nga punëtorët e administratës, mirëpo mund të konfirmojmë se janë shtyrë të gjitha seancat, përveç atyre të natyrës urgjente, siç janë dhuna në familje dhe lëndët me paraburgim”, ka thënë Gashi.
Kurse, rasti i parë i natyrës korruptive që ka dështuar të mbahet të martën, është rasti i ish-inspektorëve të Komunës së Prishtinës, Ismet Haliti, Vehbi Abdullahu, Skender Canolli dhe Mergim Shala.
Rasti i dytë, i cili ka dështuar të mbahet për shkak të grevës ka qenë gjykimi ndaj Selatin Retkocerit, ish- ushtrues i detyrës së kryeshefit ekzekutiv, Remzi Llumnicës, ish-ushtrues i detyrës së Zyrtarit Kryesor Financiar në KRU “Prishtina”, Sabri Maliqit, menaxher për mbikëqyrjen e realizimit të kontratës dhe pronarit të kompanisë “Kosova Water & Energy”, Fidan Pacolli.
Po ashtu, ka dështuar të mbahet edhe rasti i njohur si “Medicus”, ku urologu Lutfi Dervishi dhe djalit të tij, Arban Dervishi po ngarkohen se në bashkëkryerje kishin kryer veprat penale të krimit të organizuar dhe trafikimit me qenie njerëzore.
Që nga 27 tetori 2020, pra që një vit e gjysmë nga seanca e fundit, sot ka qenë e paraparë të mbahet shqyrtimi gjyqësor në këtë rast, i cili është anuluar shkaku i grevës.
Rasti tjetër që ka dështuar të mbahet për shkak të grevës, ka qenë gjykimi për keqpërdorimin e fondeve të kompanisë “Llamkos”, ku po akuzohen Luan Berisha, Driton Muharremi, Ilir Pushka dhe Mehmet Sunguri.
Ndryshe, në konferencën për media të mbajtur mëngjesin e së martës, kryetari i Shoqatës Sindikale të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Naim Rrustemi, ka thënë se greva nuk ka të bëjë me çështje politike, se po ndodhë pa vullnetin e tyre dhe se do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre,
“Kërkesat tona janë: Aprovimi i Ligjit për punëtorët e Administratave të Gjykatave dhe Prokurorive duke u bazuar në Projektligjin për Plotësim dhe Ndryshim të Ligjit për Zyrtar Publik; Përafrimi i pagave të punëtorëve të administratës së gjykatave dhe prokurorive në raport me pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve; Pagesa lineare nga 150 euro për çdo punëtor të administratës së gjykatave dhe prokurorive deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga; Pagesa e shujtës ditore prej 3 euro dhe pagesa e udhëtimit prej 3 euro”, ka thënë Rrustemi.