Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, pritet që të ju dërgojë ftesë deputetëve të zgjedhur për mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës për legjislacionin e VI-të.
Mirëpo, këshilltari politik i presidentit Thaçi, Ardian Arifaj, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se ende nuk ka një vendim se kur pritet të mbahet seanca e parë konstituive.
“Ende nuk është vendosur se kur do të mbahet seanca konstituive. Kurdo që të merret vendimi, do t’ju njoftojmë”, ka thënë Ardian Arifaj, këshilltar politik i presidentit Thaçi.
Neni 7 i Rregullores së Kuvendit thotë që Presidenti e thërret mbledhjen konstituive brenda 30 ditëve nga shpallja e rezultateve.
“Mbledhjen konstituive të legjislaturës së Kuvendit e thërret Presidenti i Republikës së Kosovës brenda afatit prej tridhjetë (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultatit të zgjedhjeve”, thuhet në Rregulloren e Kuvendit.
Andaj, presidenti Thaçi ka afat deri më 8 gusht të thërrasë mbledhjen konstituive të Kuvendit të dalë nga vota e 11 qershorit.
Ndryshe, përveç thirrjes së seancës konstituive nga ana e presidentit ai po ashtu detyrohet që ta sjell vendimin e KQZ-së në Kuvend për regjistrimin e deputetëve.
“Regjistrimi merr kohë së paku tri ditë, dhe pas kësaj mund të mbahet edhe seanca konstituive”, thonë burime të Telegrafit.
Ndërkaq, sipas Rregullores së punës të Kuvendit të Kosovës, kjo seancë e parë legjislative organizohet nga Kadri Veseli si kryetar i Kuvendit në legjislaturën e kaluar dhe Kryesia e Kuvendit e po asaj legjislature.
Më pas kryetari dhe Kryesia e Kuvendit e kaluar ftojnë kryetarët e partive që kanë hyrë në Kuvend për të biseduar mbi rendin e ditës së seancës konstituive.
E deri sa të zgjidhen strukturat e Kuvendit, kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit, punimet e seancës së Kuvendit i udhëheq deputeti më i vjetër i Kuvendit të Kosovës, i cili do të ndihmohet në drejtim të seancës nga deputeti më i ri i kësaj legjislature.
Ndërsa, për regjistrimin e deputetëve, neni 9 i rregullores së Kuvendit përcakton Kryesuesin e mbledhjes konstituive të legjislaturës së Kuvendit, i cili pas hapjes së mbledhjes dhe paraqitjes së rendit të ditës, kërkon nga partitë politike të përfaqësuara në Kuvend ta caktojnë nga një përfaqësues në Komisionin e përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve.
Po ashtu, Komisioni i përkohshëm e shqyrton dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve, ia paraqet Kuvendit raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve të Kuvendit dhe e verifikon kuorumin në mbledhjen konstituive të legjislaturës së Kuvendit.
Ndërkaq, në nenin 10 përcaktohet ‘Betimi i deputetëve’, ku pas verifikimit të mandateve, deputetët betohen solemnisht.
“Teksti i deklaratës është: ‘Unë, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder e me përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do ta përfaqësoj me dinjitet popullin, do të punoj në interes të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj, do të angazhohem për mbrojtjen dhe për respektimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë, për mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe të integritetit institucional të Kosovës, për garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, në përputhje me ligjet e vendit dhe me standardet evropiane.’ Betohem!”, thuhet në rregulloren e Kuvendit të Kosovës.