Pesë arsye pse fitoi Joe Bideni

Prishtinë | 08 Nën 2020 | 18:35 | Nga Ekonomia Online

Pas 50 vitesh punë në zyrat publike dhe ambicieve presidenciale, Joe Biden më në fund arriti ëndrrën e tij për Shtëpinë e Bardhë. Nuk ishte fushata e ëndrrave pasi u zhvillua nën një situatë të pazakontë diktuar nga pandemia. Ai garoi kundër një kandidati jo të zakonshëm. Por ama në provën e tretë për presidencën, Biden dhe ekipi i tij gjetën një mënyrë për të kaluar pengesat dhe për të arritur fitoren edhe pse të vogël. Ai ka marrë numrin më të lartë të votave për një kandidat në historinë e SHBA-së. BBC ka renditur 5 arsye pse djali i një shitësi makinash në Delaware fitoi më në fund presidencën.

Covid, Covid, Covid

Ndoshta arsyeja pse Biden e fitoi Presidencën është diçka që ai nuk e ka pasur fare në kontroll. Pandemia e koronavirusit i ka marrë 230 mijë jetë njerëzish dhe ka transformuar jetën dhe politikën amerikanë në 2020-n. Në ditët e fundit të fushatës, kundërshtari i Biden, Donald Trump e pranoi këtë fakt. “Me gjithë këto lajme të rreme, çdo gjë covid, Covid, Covid”, tha ai në një tubim. Sipas disa sondazheve, Biden është më i besueshëm sesa Trump sa i përket kontrollit të situatës së pandemisë. Ka qenë kjo një nga pikat që ka shfrytëzuar ekipi i Biden.

Fushatë modeste

Gjatë karrierës së tij politike, Biden ka vendosur një reputacion të keq pasi bënte gabime në fjalime. Biden ka bërë disa gabime gjatë fjalimeve të tij dhe mesa duket këtë herë ka mësuar nga ato. Biden shfrytëzoi Covid, problemet ekonomike dhe çështjen e George Floyd. BBC shkruan se në zgjedhje normale, Biden do të kishte zgjedhur strategji tjetër.

Çdo njeri përveç Trumpit

Në një reklamë në fund të fushatës, Biden bënte thirrje për bashkim kombëtar dhe se do të luftonte përçarjen e kaosin që kishte karakterizuar vendin 4 vitet e fundit. Pas kësaj fshihej një llogaritje e thjeshtë. Biden vuri fatin e tij politik në pretendimin, se Trump ishte shumë polarizues dhe se populli amerikan donte një udhëheqje më të qetë dhe të qëndrueshme. Mesazhi i fitores së Biden ishte shumë i thjeshtë pasi ai bëri të qartë se nuk është si Donald Trump.

Qëndrimi në qendër

Brenda demokratëve, Biden konkurronte me Bernie Sanders, i cili njihet për prirjet e tij të majta dhe Elizabeth Warren. Biden qëndroi në qendër, duke refuzuar të mbështesë sistem shëndetësor universal të drejtuar nga qeveria, edukim falas apo taksa për të pasurit. Kjo e lejoi atë që të maksimalizonte votat edhe sa u përket republikanëve të pakënaqur. Kjo strategji u reflektua edhe në zgjedhjen e Kamala Harris si zv/presidente.

Më shumë para, më pak probleme

Biden hyri në disavantazh në garën përballë Trump. Megjithatë nga Prilli, Biden filloi një fushatë për mbledhje fondesh dhe arriti të kalonte Donald Trump. Në Tetor, ekipi elektoral i Biden kishte 144 milionë Dollarë më shumë se sa Trump dhe kaq mjaftoi që ta “mbyste” atë sa u përket reklamave në shtetet kyçe. Në fakt, paraja nuk është gjithçka. Në 2016-n, Clinton kishte më shumë para se Bideni, por në fund humbi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme