Pesë persona humbin jetën pas aksidentit me autobus në Zvicër

Prishtinë | 11 Sht 2026 | 16:45 | Nga Ekonomia Online

Pesë persona kanë humbur jetën dhe 40 të tjerë janë plagosur pasi një autobus me turistë holandezë u përmbys në një zonë të thellë alpine në lindje të Zvicrës.

Aksidenti i rëndë ndodhi të enjten pranë fshatit Susch, në kantonin Graubunden, ku autobusi me 45 turistë holandezë doli nga rruga, u përmbys dhe përfundoi në një zonë ndërtimi, shkruan Aljazzer .

Sipas policisë zvicerane, tre prej të plagosurve ndodhen në gjendje të rëndë, shtatë kanë pësuar lëndime të moderuara, ndërsa 30 të tjerë kanë marrë plagë të lehta.

Në operacionin e shpëtimit u angazhuan shtatë helikopterë dhe 13 ekipe ambulancash, të cilat transportuan të plagosurit drejt spitaleve.

Identiteti i pesë viktimave ende nuk është bërë i ditur. Autoritetet zvicerane kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.

Presidenti i Zvicrës, Guy Parmelin, reagoi përmes rrjeteve sociale, duke shprehur tronditjen e tij të thellë dhe ngushëllimet për familjet e viktimave.

Edhe Mbreti Willem-Alexander dhe Mbretëresha Maxima e Holandës shprehën ngushëllimet e tyre për familjet e prekura nga tragjedia.

Të ngjashme