“E pranoj në tërësi fajësinë për veprimet për të cilat akuzohem. Këtë po e bëj me vullnet”, ka thënë i akuzuari Jetmir Bushi, të hënën, para Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Këtë vendim ai e ka marrë thuajse në fund të procesit gjyqësor që po zhvillohet kundër tij dhe 10 të akuzuarve të tjerë për terrorizëm, shkruan sot Koha Ditore.
Bushi është i akuzuari i pestë, i cili ka pranuar se ka qenë pjesë e luftës në Siri. Katër të tjerë e kanë pranuar fajësinë në fillim të procesit gjyqësor.
Ai së bashku edhe me Kujtim Bytyqin, Hadi Nurën, Besim Shabanin, Betim Ibrahimajn, Adil Bushin, Egzon Latifin, Artan Kadriun, Bekim Halilin, Zijadin Berishën dhe Jeton Hajdinin po përballen me drejtësinë për dy vepra penale: organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste, dhe për armëmbajtje pa leje.
Prokuroria beson se në vitet 2013-2014 ata kanë qenë pjesëmarrës në luftën e Sirisë përkrah organizatave terroriste, si ISIS.