Pesë persona nga rajoni i Prizrenit janë vrarë në konfliktin në Siri, ndërkohë që nga shtatori i vitit të kaluar asnjë person nuk ka marrë udhën për të shkuar atje në luftime, kanë bërë të ditur drejtuesit e Policisë nga ky rajon, gjatë një tryeze të organizuar të enjten në Prizren nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë.
Skënder Përteshi nga QKSS-ja ka theksuar se në të kaluarën ka pasur një qasje jo të duhur nga institucionet vendore dhe bashkësia ndërkombëtare që e kanë neglizhuar këtë dukuri në Kosovë dhe si pasojë e faktorëve të ndryshëm ndikues një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të Kosovës kanë marrë pjesë në luftërat në Siri e Irak.
“Tashti duhet të punojmë më shumë në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, që të mos e lëmë Policinë të vetmuar, por të gjithë të japim kontributin që mos me pasë qytetarë që bien viktimë të ideologjive të dyshimta”, ka thënë ai.
Ndërsa, drejtori i Policisë rajonale të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, ka theksuar se organet e rendit në këtë rajon janë angazhuar në parandalimin e këtij fenomeni shqetësues. (Koha Ditore)