Ndeshjen e Botërorit 2018 në mes të Serbisë dhe Zvicrës, ish-kapiteni zviceran, Stephan Lichtsteiner, e ka vlerësuar ditë më parë si më emocionalen në karrierën e tij.
Për atë ndeshje të luajtur më 22 qershor 2018 në Kaliningrad të Rusisë, të dielën ka folur edhe përzgjedhësi i Zvicrës Vladimir Petkoviq. Petkoviq është kroat nga Sarajeva, kurse Zvicrën me shumë sukses e drejton prej vitit 2014. Nën drejtimin e tij, lojtarë si Valon Behrami, Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Blerim Xhemaili e Admir Mehmedi janë bërë bartës të lojës së Zvicrës.
Pikërisht Xhaka e Shaqiri kishin shënuar golat për fitoren 2:1 të Zvicrës ndaj Serbisë. Të dy kishin festuar duke formuar figurën e shqiponjës me të dy duart. Ajo ndeshje dhe ajo mënyrë e festimit kishin bërë bujë.
Xhaka, Shaqiri dhe shqiptarët e tjerë të Zvicrës ishin fyer nga tifozët serbë gjatë ndeshjes.
Gazetar e madhe zvicerane, Blick, të dielën ka bërë një intervistë të gjatë me Petkoviqin, kryesisht për jetën private të tij. Ndër të tjerash e ka pyetur edhe për ndeshjen me Serbinë. Blick ka komentuar se në atë ndeshje kishte racizëm, përkatësisht fyerje të serbëve ndaj Shaqirit, Xhakës dhe të tjerëve.
“Ishte e pabesueshme se çka po ndodhte në stadium. Mund të ndieje se sa shumë probleme ka ende në mes të Serbisë dhe Kosovës. Atmosfera ishte ekstremisht e nxehtë, gjë që është shfaqur me disa gjësende në fushë dhe rreth saj”, ka thënë Petkoviq.