Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, së bashku me kryetarin e Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, kanë mbajtur konferencë të përbashkët për media, lidhur me çështjen e riorganizimit të procesit mësimor në komunën e Kamenicës, raporton Ekonomia Online.
Ministrja Bajrami tha se janë pajtuar me kryetarin e Kamneicës që të pezullojnë përkohësisht reformën e nisur në këtë komunë në mënyrë që të rikthehet normaliteti në shkolla.
“Qysh në ditët e para kemi takuar kryetarin dhe këshillin e prindërve dhe ju e dini se situata nuk është aspak e këndshme megjithatë ne kemi konsultuar zyrtarë ligjor. Ju e dini se ditëve të fundit kemi pasur takime me kryetarin që ta arrojmë marrëveshje dhe që nxënësit të kthehen në mësime. Ne kemi si obligim që të krijojmë kushte për nxënës. Një formë e reformës jemi pajtuar që të ngadalësohet dhe të rikthejmë në normalitet Kamenicën”, ka thënë ajo.
Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, tha se në disa shkolla janë pajtuar që të pezullojnë reformën.
“Ne kemi arrite së bashku një memorandum bashkëpunimi, ku kemi paraparë që shkollat “Avdullah Krashnica”, “Presheva” dhe “Rexhep Mala” që janë në fshatrat Topanicë dhe Koretin, ta pezullojmë reformën për momentin dhe kjo do të vazhdojë, ndërsa faza e parë e disa shkollave, vendimi do të vazhdojë ashtu dhe këto shkolla duhet të funksionalizohen dhe të respektohet vendimi i Komunës së Kamenicës”, ka thënë Kastrati.
Vendimi i kryetarit të Komunës së Kamenicës Qëndron Kastratit për reforma të thella arsimore në këtë komunë rrezikonte mbylljen e 19 shkollave.
Nxënësit e këtyre shkollave ishte paraparë të shpërndaheshin në shkolla tjera të qytetit, teksa janë banorët e fshatrave përreth Kamenicës ata të cilët e kundërshtonin këtë reformë.