Komuna e Prizrenit përmes një pilot-projekti ka ndërmarrë nismën për ndarjen e mbeturinave në burim përkatësisht në amvisëri me qëllim të nxitjes së riciklimit të tyre.
Fillimisht, projekti ka nisur që të zbatohet në lagjen “Ortakoll” të Prizrenit, ku Komuna ka filluar që t’i pajisë amvisëritë me kontejnerë shtëpiakë, që do të shërbejnë vetëm për hedhjen e shisheve të plastikës.
Përmes këtij pilot-projekti synohet ndërgjegjësimi i qytetarëve për riciklimin si dhe përmirësimi i cilësisë së shërbimit drejt krijimit të modelit të qëndrueshëm, i cili më pas do të përhapej në të gjithë territorin e Komunës. Në të njëjtën kohë, sipas autoriteteve komunale, ky projekt parasheh promovimin e hierarkisë së menaxhimit të mbeturinave respektivisht zvogëlimin, ripërdorimin dhe riciklimin (3R), duke i ndarë shishet e plastikës në amvisëri.
Rrugët që do të pajisen me kontejnerë janë: Jusuf Gërvalla, Bingeni, Salih Çeku, Fehim Ibrahimi, Rifat Ukimeri, Rambuje, Gazmend Zajmi, Leka i Madh dhe Rexhep Kukaj, thuhet në këtë njoftim.