Plani i Rusisë që të nisë me injektimin e vaksinës kundër COVID-19 të quajtur “Sputnik-V” te popullata, para testimeve të plota për të vërtetuar se si funksionon ajo, është duke ngjallur brenga në mesin e ekspertëve, pasi që dozat pjesërisht efektive mund të shkaktojnë mutacionin e koronavirusit.
Viruset, përfshirë edhe koronavirusi SARS-CoV-2 i cili e ka shkaktuar pandeminë, e kanë aftësinë e mutacionit gjatë tërë kohës, edhe pse zakonisht kjo nuk e rrit rrezikun për njerëzit, shkruan Reuters të premten.
Por disa shkencëtarë brengosen se duke bërë “presion në evoluimin e patogjenit” me anë të shpërndarjes së një vaksine, e cila nuk mbron në tërësi, mund t’i përkeqësojë gjërat, transmeton KOHA.
“Një mbrojtje që nuk është komplete, mund të bëjë që virusi të mësohet me disa antitrupa, e pastaj të krijojë lloje që mësohen t’u ikin të gjitha antitrupave që vaksinat krijojnë”, tha Ian Jones, profesor i virologjisë në Universitetin Reading të Britanisë. “Andaj në këtë kuptim, një vaksinë e dobët është më keq se pa vaksinë fare”.
Zhvilluesit e Sputnik-V, si dhe përkrahësit financiarë, së bashku me autoritetet ruse, thonë së vaksina është e sigurt dhe se testimet dymuajshe në një numër të vogël të vullnetarëve kanë treguar që kjo vaksinë funksionon.
Rezultatet e këtyre testimeve nuk janë bërë publike dhe shumë shkencëtarë nga Perëndimi janë skeptikë, për çka paralajmërojnë që të mos përdoret deri sa të tejkalohen të gjitha rregulloret e aprovuara ndërkombëtarisht.
Rusia ka thënë të enjten se do të nisë një testim në numër të madh të njerëzve – 40.000 persona, por gjithashtu do t’ua jep edhe grupeve në rrezik, si punonjësve mjekësorë, para se të shihen rezultatet e testimit.