Siç u konfirmua më herët nga disa subjekte politike, listat e kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Kosovës do t’i dorëzojnë gjashtë prej tyre: Lista Serbe, Demokracia Serbe, Lëvizja Kombëtare Serbe, Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Partia e Serbëve të Kosovës dhe Nisma Qytetare Drejtësia Popullore.
Afati për dorëzimin e listave për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare skadon më 11 dhjetor.
Lista Serbe njoftoi se ka dorëzuar një listë prej 48 kandidatësh për deputetë në Kuvendin e Kosovës, në mesin e të cilëve është edhe Dragica Gashiq, e kthyera e parë serbe në Gjakovë – qytet rreth 70 kilometra larg Prishtinës.
Kthimi i saj në vitin 2021 ka shkaktuar reagime të dhunshme, por në fund ajo ka arritur të kthehej në banesën e saj.
“Jam i nderuar dhe i lumtur që dekanët tanë, profesorët, mjekët e dalluar, gjyqtarët, me emrat e tyre qëndruan pranë Listës Serbe në këtë moment më të vështirë të luftës për interesat e popullit serb në hapësirën e Kosovës dhe Metohisë”, tha Zllatan Ellek, kryetar i Listës Serbe.
Listën prej 12 kandidatësh e bëri të ditur edhe Nenad Rashiq, udhëheqës i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Në atë listë gjendet edhe Marina Bogojeviq nga Leposaviqi, nënkryetare aktuale e Lulzim Hetemit.
Rashiq, aktualisht, është ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.
Partitë tjera thanë se listat e kandidatëve do t’i publikojnë kur të konfirmohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës.
KQZ-ja duhet t’i konfirmojë listat më së voni deri më 25 dhjetor.
Zgjedhjet janë caktuar për datën 9 shkurt të vitit të ardhshëm.
“Është mirë që kemi një lloj pluralizmi në përfaqësimin e komunitetit serb. Kjo është diçka që ka munguar në periudhën paraprake”, thotë Marinkoviq.
“Vetë fakti që janë regjistruar gjashtë lista, tregon se monopoli i Listës Serbe ka rënë. Është e qartë se as Beogradi nuk mund t’i vendosë më të gjitha kartat në anën e Listës Serbe. Mendoj se kjo është një shenjë e mirë për komunitetin serb. Ai po i kthehet sistemit shumëpartiak në një mënyrë të pazakontë”, shton Janjiqi.
Që nga themelimi i saj në vitin 2013, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit – ka fituar mbi 90 për qind të votave të pjesëtarëve të komunitetit serb në të gjitha proceset zgjedhore në të cilat ka marrë pjesë.
Megjithatë, Misioni Monitorues i BE-së në Kosovë, në raportin e tij të vitit 2021, ka konstatuar se Lista Serbe “ka monopolizuar jetën politike në mesin e serbëve të Kosovës” dhe se ka pasur raste të frikësimit dhe presionit ndaj votuesve nga kandidatë dhe aktivistë të Listës Serbe.
Pjesëtarët e komunitetit serb në veri dhe në jug të lumit Ibër, me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë më 26 nëntor, e kanë mbështetur daljen në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke thënë se duan që zëri i tyre të dëgjohet në institucionet e Kosovës.
“Politika e bojkotimit e Listës Serbe ua hapi dyert partive të tjera”
Marinkoviq thotë se Lista Serbe “është zhdukur” dy vjet më parë, me daljen e serbëve nga institucionet e Kosovës në veri, dhe se është krijuar një hapësirë në të cilën “disa liderë të tjerë politikë kanë dalë në sipërfaqe dhe kanë marrë mbështetje nga qytetarët e komunitetit serb”.
“Ndaj, ai dominim, ai monopoli i Listës Serbe, do të jetë shumë vështirë të arrihet në këtë moment. Unë shoh që në Kuvendin e Kosovës të shfaqen fytyra të reja, opsione të reja politike dhe mendoj se kjo do të ishte shumë mirë për komunitetin serb”, thotë Marinkoviq.
Ai, megjithatë, thekson se përfaqësuesit politikë të serbëve, pavarësisht se cilit opsion i takojnë, duhet t’i përmbahen një platforme themelore që mbron interesat e komunitetit serb.
Pas bojkotimit dyvjeçar të institucioneve të Kosovës, për shkak të heqjes së targave serbe nga Qeveria e Kosovës, Lista Serbe njoftoi se do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme të Kosovës, por nuk specifikoi qartë nëse do të marrë pjesë aktive në punën e institucioneve.
Që nga viti 2022, dhjetë përfaqësues të grupit parlamentar Lista Serbe janë paraqitur në seancat e Kuvendit të Kosovës çdo gjashtë muaj, për të mos i humbur mandatet e tyre.