Podujeva dhe Suhareka shembuj të parandalimit të ekstremizmit

Prishtinë | 16 Jan 2019 | 11:52 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komunat e Podujevës dhe të Suharekës janë shembujt më pozitivë në Kosovë në parandalimin e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, dhe prej tyre mund të nxirren mësime të dobishme për trajtimin e kësaj problematike në nivelin lokal dhe në atë nacional.

Kështu u tha në tryezën e rrumbullakët në të cilën u prezantua Punimi i Politikave “Parandalimi i Radikalizmit dhe Ekstremizmit të Dhunshëm: Mësimet nga Shembujt Pozitivë të Komunave të Podujevës dhe Suharekës”, të organizuar nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED).

Drejtori ekzekutiv i KIPRED, Lulzim Peci tha se ky punim është pjesë e bashkëpunimit në mes gjashtë OJQ-ve.

“Ky punim i politikave është pjesë e programit të Konzortiumit të OJQ-ve (ATRC, KIPRED, BIRN, SPRC, KCBS dhe D+) “Me Demokraci Pjesëmarrëse për një Kosovë pa Radikalizëm”, tha Peci.

Ai shtoi se hulumtimi ka zgjatur gjashtë muaj nga qershori deri në nëntor të vitit 2018.

“Hulumtimin për këtë punim e kemi zhvilluar për 6 muaj nga qershori i vitit 2018 deri në fund të nëntorit, gjatë hulumtimit kemi bërë analizën socioekonomike të këtyre dy komunave. Kemi bërë hulumtim në terren përmes intervistave që kemi pasur me kryetar të komunave, parti politike, përfaqësues të bashkësive islame, policisë etj”, tha ai.

Agon Demjaha, autor i këtij raporti nga KIPRED tha se ky punim është bërë për të gjetur arsyet se pse këto dy komuna kanë më së paku radikalizëm dhe ekstremizëm të dhunshëm.

“Qëllimi i këtij hulumtimi ka qenë të gjenden arsyet pse në këto dy komuna nuk ka nivel të shprehur të radikalizmit dhe ekstremizmit ka numër të vogël ose inekzistent që s’ka asnjë luftëtar që u bashkëngjit në luftëra të Sirisë e në Irak”, tha Demjaha.

“Radikalizmi dhe ekstremizmin me bazë islamike është bërë prioritet i shumë qeverive nëpër botë, Kosova nuk i ka shpëtuar këtij fenomeni edhe pse kemi pas besim islam tolerant, viteve të pas luftës ngadalë janë infiltruar disa organizata që e kanë sjellë ideologjinë radikale të islamit me kohë këto shoqata kanë gjet edhe bashkëpunëtorë që pastaj kanë vazhduar me veprimtari të tilla”, tha ai.

Demjaha tha se edhe problemet socio-ekonomike kanë ndihmuar që të rinjtë kosovarë të bashkohen në këto organizata.

“Faktorët socio-ekomomik, gjendja e rëndë ekonomike, niveli i ulët i arsimit janë arsyet pse të rinjtë iu bashkohen këtyre luftërave dhe radikalohen në këtë aspekt”, tha ai.

Demjaha shtoi se janë dy faktor të cilat kanë ndihmuar që radikalizm dhe ekstremizmi i dhunshëm të mos jetë prezent në këto dy komuna.

“Faktori i parë është bërë një punë e palodhshme e të drejtë të këshilleve të bashkësive islame në këto dy komuna që nga fillimi i shfaqjes së parë të këtyre fenomeneve. Këshillat bashkiak islamik janë angazhuar për të penguar këto organizata”, tha ai.

Tek këto dy komuna sipas Demjahës është vërejtur angazhimi edhe nëpër shkolla për të vetëdijesuar të rinjtë se ky fenomen është i dëmshëm.

“Është punuar me popullatën edhe nëpër shkolla për të demaskuar këto ideologji radikale për të treguar se këto janë të dëmshme për shqiptarët në përgjithësi dhe nuk është bërë asnjë bashkëpunim më këto organizata që kanë pasur synim të promovojnë radikalizimin”, tha Demjaha.

Ai po ashtu tregoi disa nga rekomandimet e nxjerra nga ky raport.

“Partitë politike në nivel qendror dhe lokal duhet të veprojnë bashkërisht në demaskimin e formave radikale të predikimit të islamit dhe në luftimin e grupeve dhe individëve qe i promovojnë format e tilla duke respektuar lirinë e shprehjes dhe të drejtën e patjetërsueshme në besimin fetar si e drejta elementare njerëzore”, tha Demjaha.

“Sistemi i drejtësisë i Kosovës duhet të zbatoj vendosmërisht kornizën ligjore ndaj gjuhës se urrejtjes për sa i përket urrejtjes fetare dhe etnike si dhe predikimit të ekstremizimit”, tha ai.

Sipas Demjahës, mediumet elektronike në Kosovë në nivel qendror dhe lokal duhet të ofrojnë skema programore që promovojnë tolerancë dhe bashkëjetesë fetare dhe mos të ju japin hapësirë individëve të cilët përdorin gjuhën e urrejtjes ndërfetare dhe ndëretnike.

Të ngjashme