Në Komunën e Podujevës ka filluar vendosja e shtyllave të tabelave për emërtimin e rrugëve, kërkohet bashkëpunim nga qytetarët.
Në Komunën e Podujevës është duke u realizuar projekti i vendosjes së tabelave me emërtimin e rrugëve, projekt ky që është financuar nga Bashkimi Evropian.
Projekti i vendosjes së tabelave me emrat e 1 200 rrugëve në Komunën e Podujevës është në fazën e realizimit. Kompania “Viva Print” aktualisht është në fazën e vendosjes së shtyllave të tabelave në fshatra dhe në disa pjesë të qytetit të Podujevës.
Vendosja e tabelave me emërtimin e rrugëve është një projekt që financohet nga Bashkimi Evropian dhe që ka për qëllim ndërtimin e sistemit të adresave dhe ofrimi i lehtësive në regjistrin civil, shërbimet publike, në transport, navigacion, në polici, në forcat e sigurisë dhe shërbimet e zjarrfikësve.
Realizimi i këtij projekti përveç që është në interes të vetë qytetarëve, sepse përmes emërtimit të rrugëve bëhet edhe sistemimi i adresave, është edhe një nga kriteret e Bashkimit Evropian.
Kompania e cila aktualisht është duke vendosur shtyllat e tabelave të rrugëve, kërkon mirëkuptim dhe bashkëpunim nga qytetarët për realizimin me sukses të këtij projekti. Kjo për shkakun se gjatë realizimit të projektit janë evidentuar raste të dëmtimeve të disa shtyllave nga presona të pandërgjegjshëm.