Paul Pogba dhe menaxheri i tij, Mino Raiola, do t’ia kërkojnë Manchester Unitedit një rritje të madhe page për mesfushorin francez, në mënyrë që ai ta nënshkruajë kontratën e re të ofruar nga klubi anglez.
Ylli francez i Manchester Unitedit po kërkon pagë prej 35 milionë eurosh në vit, që i bie mbi 600 mijë euro në javë.
Mino Raiola e sheh situatën aktuale në Manchester United si mundësi për ta bindur klubin t’i japë pagë të madhe klientit të tij, i cili mund të preferojë ta vazhdojë karrierën me Real Madridin para se t’i skadojë kontrata me anglezët.
Paul Pogba e kishte kërkuar largimin nga Manchester Unitedi gjatë afatit kalimtar të verës, duke thënë publikisht, në korrik, se dëshiron ta përballet me një sfidë të re në karrierë. Kjo deklaratë e tij e nxiti interesimin nga Real Madridi.
Megjithatë, Real Madridi nuk bëri ofertë për francezin pasi që Manchester Unitedi ia bëri të qartë se çfarëdo oferte, pavarësisht shumës, do të refuzohej. Tani që afati kalimtar është mbyllur, Manchester Unitedi dëshiron t’ia rinovojë kontratën 26-vjeçarit.
Pogba do të hyjë në vitin e fundit të kontratës së tij me “Djajtë e kuq” në fund të këtij sezoni, mirëpo Manchester Unitedi e ka opsionin për t’ia vazhduar atij kontratën edhe për 12 muaj të tjerë.
Por, mediumet britanike raportojnë se “Djajtë e kuq” nuk duan të rrezikojnë ta humbin yllin e skuadrës së tyre dhe për këtë arsye dëshirojnë ta bindin atë të nënshkruajë kontratë të re, ku do t’i ofrohet ngritje page.
Mirëpo, Manchester Unitedi nuk pritet ta ketë të lehtë ta transferojë francezin, pasi që menaxheri i futbollistit, Mino Raiola, dhe vëllai i tij, Mathias Pogba, vazhdojnë ta vënë në dyshim të ardhmen e tij.
Para disa ditësh, vëllai i Pogbas tha se të gjithë e dinë se trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, është tifoz i madh i mesfushorit të Manchester Unitedit, ndërsa Raiola gjatë verës kishte thënë se të gjithë janë të vetëdijshëm se Pogba dëshiron të gjejë klub tjetër.