Dy prej anëtarëve të jurisë kanë çuar votat në favor të shkrimtarit finalist, Virion Graçi, ndërsa tre të tjerë kanë votuar për shkrimtarin Musa Ramadani, duke e çuar këtë vit çmimin në Kosovë.
Për jurinë nuk ka qenë e lehtë që mes pesë finalistëve, ku për herë të parë ka qenë një raport absolut përfaqësimi mes trojeve ku flitet shqip, të kishin një mendim unanim për fituesin.
Megjithatë, me rregullin e përcaktuar, një formë demokratike një anëtar- një votë, në emër të jurisë fitues është shpallur shkrimtari nga Kosova me veprën “Profeti nga Praga”.
Një ditë më parë në Ditët Letrare të Razmës është shpallur fitues i çmimit Kadare 2017, shkrimtari nga Kosova Musa Ramadani me veprën “Profeti nga Praga”. Votimi për çmimin fitues nuk ka kaluar pa debate dhe diversitet mendimi mes anëtarëve të jurisë me kryetar Bashkim Shehu, koordinatore Ledia Dushi dhe anëtarë: Ylljet Aliçkaj, Mirela Oktrova dhe Agim Baçi.
Dy prej anëtarëve të jurisë kanë çuar votat në favor të shkrimtarit finalist, Virion Graçi, ndërsa tre të tjerë kanë votuar për shkrimtarin Musa Ramdani, duke e çuar këtë vit çmimin në Kosovë. Për jurinë nuk ka qenë e lehtë që mes pesë finalistëve, ku për herë të parë ka qenë një raport absolut përfaqësimi mes trojeve ku flitet shqip, të kishin një mendim unanim për fituesin.
Megjithatë, me rregullin e përcaktuar, një formë demokratike një anëtar- një votë, në emër të jurisë fitues është shpallur shkrimtari nga Kosova me veprën “Profeti nga Praga”. Ndërsa çmimi ka patur jehonë të menjëhershme në Kosovë dhe Shqipëri, duke vlerësuar autorin dhe konsideruar si një rast ku nuk mund të flitet për dy letërsi shqipe, nuk kanë munguar edhe polemikat.
Shkrimtari Virion Graçi, finalisti në garën e çmimit Kadare2017 ka reaguar dje pas shpalljes së çmimit. Graçi është shprehur në rrjetin e tij në Facebook duke thënë se librat fitues në dy vitet e mëparshme kanë dështuar në treg. “Tre vjet çmimi Kadare. Dy librat fitues të këtij çmimi në dy vitet e mëparshme janë të dy libra të dështuar rëndshëm, të dështuar në treg, të dështuar në opinionin kulturor-letrar në Shqipëri e në Kosovë.
(I pari libër fitues u sulmua ndyrë në vetë entin e tij botues, Mapo, vetëm një javë pas ceremonisë kremtuese dhe… botimit). Të shohim e dëgjojmë çfarë ka gatuar i treti, mjeshtri i këtij viti për mjeshtrat e tij sponsorizues”. Graçi shkrimtari më aktiv në letërsinë e pas ’90-s, njëkohësisht finalist në garën e sivjetme për çmimin “Kadare” ka konkurruar me romanin “800 hapa larg Venerës”.
Ndërsa ndaj këtij shqetësimi ka reaguar një prej anëtarëve të jurisë, gazetari dhe një nga kritikët më aktivë Agim Baçi, duke u shprehur se: “Debatet për çmime në art janë normale. Për aq kohë sa shijet janë të ndryshme, do të ketë edhe mendime të ndryshme.
Paradoksale është kur për çmimet reagojnë ose protestojnë konkurruesit, sepse kjo tregon këmbënguljen e të qenit shkrimtar sot për sot. Në fakt, letërsia, nëse është e mirë, do të mbijetojë, pavarësisht nëse është vlerësuar me çmime apo jo. Është koha gjykatësi më i mirë. Ne kemi sot autorë që deri disa vite më parë ishin shumë të lexuar, për shkak se i mbështeste sistemi dhe sot janë të rrëzuar.
Ashtu siç kemi letërsi të mohuar për 50 vite e që sot ka marrë vëmendjen, sepse ka mundur të mbijetojë në debatin e vlerave. Po kështu edhe në botë, kemi autorë krejt të panjohur në kohën e tyre dhe tashmë të përbotshëm, e gjithashtu shumë të njohur e të shitur në kohën e tyre, dhe krejt të papërfillshëm vite më vonë. Letërsia e mirë nuk është vetëm në kohën që rron shkrimtari, sepse nuk mund ta mbrojë avokatia e autorit letërsinë.
Letërsia mbron apo rrëzon vetveten. Ndaj, ndiej veçse keqardhje për këdo që i mbështetur në arsyetime emocionale, irracionale synon të denigrojnë një emër apo disa emra të cilët kanë vendosur për një fitues në një konkurrim të hapur. Fatmirësisht, edhe pse është në ndërtim të traditës, çmimi “Kadare” i mbështetur nga Henri Çili, po krijon një bazë të mirë për evidentimin e letërsisë së sotme shqipe.
Prej disa vitesh “Mapo libri” ka krijuar hapësirë për debatimin e letërsisë së sotme, duke sjellë në vëmendje atë që lëvrohet sot, e duke e bërë pjesë të debatit, duke e ndërmjetësuar me lexuesin. Edhe konkurruesit e këtij viti, jo vetëm ata finalistë, premtonin për një letërsi e cila tashmë po konkurron me modelet më të mira letrare në botë”.
Ledia Dushi në fakt është nga zërat e veçantë në poezinë shqipe, me tërheqje të dukshme, nga tryezat që shtrohen për letërsinë dhe në këtë rast përfshirja e saj për herë të parë në një proces konkurrimi si koordinatore, por njëkohësisht dhe me angazhimin në suplementin letrar të gazetës Mapo, për autorë të pas ’90-s, është shprehur qysh herët se mbi përfshirjen në këtë proces:
“Përfshirja në një proces konkurrimi për një krijues është pak delikate sepse ka të bëjë jo vetëm me ndjeshmëritë që shfaqin shkrimtarët këtu, për arsye njohjeje, por nga ana tjetër për nga karakteri që ka çdo personalitet, më bën ta shikoj këtë proces mbi parime totalisht letrare.
Me këtë fakt asnjëherë nuk kam bërë kompromis. Ndaj dhe vendosa që t’i bashkohem kësaj nisme për të qenë nxitëse e një letërsie të mirë, që mos të reflektohet si çështje inferioriteti por çështje e një jete të brendshme të domosdoshme letrare”.
Duhet të rikujtojmë se fituesi do të botohet ekskluzivisht nga Botimet Mapo dhe ia kalon të drejtat këtij enti, si një mecenat i parë në këta 26 vjet që del jashtë kontekstit zyrtar, e politik.
Motivet se pse ky çmim do të akordohet vetëm për letërsinë artistike, themeluesit e kanë shpjeguar qysh në krye me faktin se vetë Kadare njihet në radhë të parë si romancier, edhe pse ka shkruar edhe eseistikë, ku ndër më të njohurat janë “Dantja i pashmangshëm”, “Eskili ky humbës i madh”, “Mosmarrëveshja” etj. Nëse eseistika do të jetë kadareane, themeluesit mendojnë se mund të përfshihet në çmim, në vitet e ardhshme.
Jehona e çmimit Kadare: Çfarë është thënë në mediat e Kosovës
Pavarësisht përfoljes së fituesve të mundshëm, për studiuesit dhe shkrimtarët kosovarë rëndësia e këtij çmimi qëndron në vlerën e veprave konkurruese, duke pohuar se ky çmim ofron edhe një rast të mirë për krijuesit nga Kosova.
Në një prononcim për “Kosova Sot”, shkrimtari dhe publicisti Shaqir Foniqi, duke mos e pranuar faktin e ndarjes së letërsisë shqipe në atë të Kosovës dhe në atë të Shqipërisë pasi, sipas tij, ajo është një. Sikurse Shqipëria që ka emra të njohur dhe të afirmuar në letrat shqipe, sidomos në gjininë e prozës edhe Kosova i ka të saj, edhe pse, sipas tij, krijuesit nga Shqipëria kanë arritur të depërtojnë më shumë ndërkombëtarisht.
“Krijimtaria shqiptare është një dhe e pandashme, por meqë e keni shtruar pyetjen kësisoj, konsideroj se letërsia shqipe që krijohet në Shqipëri, ende e mban primatin dhe për të ka shumë dëshmi. Hiç Kadarenë, në Shqipëri ka disa emra, të cilët janë formuar dhe pranuar, jo vetëm në shkallë kombëtare, por edhe ndërkombëtare, si: Kongoli, Spahiu, Açka, Xhunga, etj.”, ka thënë ai duke shtuar se edhe Kosova ka emrat e saj, si: Kraja, Apolloni e emra të tjerë.
Nisur nga ky fakt, nga kritikët dhe shkrimtarët e Kosovës nuk do ishte befasuese që çmimin mos ta fitonin konkurrentët kosovarë.
Edhe shkrimtari, Dan Ibrahimi ka thënë për mediat e Kosovës, se nuk mund të flasim për dy letërsi dhe të krahasojmë krijuesit, andej dhe këndej kufirit. “Megjithatë nëse në prozë letërsia shqipe në Kosove është ca inferiore në raport me atë që krijohet atje, poezia është gjinia tjetër letrare që në Kosovë është shumë më e përparuar se në Shqipëri. Megjithatë, mua nuk më pëlqen të flitet ndaras për dy letërsi shqipe”, ka thënë ai.