Policia e Kosovës, konkretisht Njësia Kundër Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në rajonin e Prizrenit, pas pranimit të informacioneve relevante për zhvillimin e veprimtarive të kundërligjshme që ndërlidhen me lojërat e fatit, vikendin që po lëmë pas ka ndërmarrë disa veprime policore.
Në dy lokacione të ndryshme në rajonin e Prizrenit janë realizuar kontrolle të lokaleve, janë arrestuar dy persona të dyshuar si dhe janë sekuestruar dëshmi të ndryshme në rastet e përmendura si në vijim:
“Është arrestuar i dyshuari mashkull K-Shqiptar, pasi që i njëjti në lokalin e tij kishte organizuar lojëra të fatit. Janë sekuestruar katër aparate dhe 1406.5 euro para të gatshme.
Në Dragash është arrestuar i dyshuari mashkull K-Shqiptar, pasi që i njëjti në lokalin e tij kishte organizuar lojëra të fatit. Janë sekuestruar dy aparate, dy shtëpiza kompjuteri dhe 2987.85 euro para të gatshme”, thuhet në njoftimin për media.
Pas realizimit të proceduarve nga Policia, janë iniciuar rastet “organizim i skemave dhe bixhozit të paligjshëm” dhe dy të dyshuarit e arrestuar me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.
Policia e Kosovës është e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe inkurajon të gjithë qytetarët që çdo informacion lidhur me ndonjë veprimtari të kundërligjshme ta ndajnë me Policinë e Kosovës, në menyrë që në bashkëpunim të reduktohen apo të ndalohen veprimtaritë e tilla.