Policia bastis dy shtëpi të pabanuara në Leposaviq – sekuestron armë, municion dhe pajisje ushtarake

Prishtinë | 30 Qer 2026 | 09:03 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh ka njoftuar se ka sekuestruar armë, municion dhe pajisje të ndryshme ushtarake gjatë kontrollit të dy shtëpive të pabanuara në fshatin Potokmali të Leposaviqit.

Sipas njoftimit të Policisë, rreth orës 15:30 të datës 29 qershor 2026, pas një informate se në një shtëpi të pabanuar ndodheshin armë, zyrtarët policorë kanë kryer kontrollin e lokacionit, ku kanë gjetur dhe sekuestruar një radiolidhje me adapter, një kuti plastike me municion për fishekë gjuetie, 22 kapsulla për armë gjuetie, vaj për armë, një fishek për armë gjuetie, pjesë plastike të mbushura me barut, një thikë, një futrollë për revole, një xhaketë ushtarake me mbishkrimin e Serbisë, një revole me karikator dhe pesë fishekë, si dhe gjashtë krehër me gjithsej 56 fishekë.

Në një rast tjetër, rreth orës 15:15, gjithashtu në një shtëpi të pabanuar në të njëjtin fshat, policia ka gjetur dhe sekuestruar dy kuti me sfera metalike për armë gjuetie, një makineri për mbushjen e fishekëve të armëve të gjuetisë, dy krehër me 20 fishekë dhe një armë të gjatë.

Lidhur me të dy rastet është njoftuar prokurori kompetent, ndërsa hetimet janë duke vazhduar.

Të ngjashme