Policia e Kosovës rreth tre muaj më parë ka hapur tenderin për “Furnizim me laserë/radarë dore” , e që dyshohet se ia ka përshtatur kompanisë “Sodex Group”.
Kjo pasi gjatë hartimit të specifikave teknike ka cekur produktin me të cilin ka ofertuar kompania në fjalë, e cila ka pronare Zaide Pira, bashkëshortja e biznesmenit Astrit Pira, i cili akuzohej se ka mashtruar Policinë e Kosovës për miliona euro, shkruan sot Koha Ditore.
Megjithatë, ky tender në vlerë 902 mijë euro është anuluar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit, pas ankesës së kompanisë “Botek” me pretendimet për shkelje të Ligjit të prokurimit publik gjatë hartimit të specifikave teknike që kanë të bëjnë me “Camera Sensor – min 3 MP”.
Kjo sipas saj i është përshtatur prodhuesit “Laser Technology”, me të cilin ka ofertuar kompania “Sodex”. Gazeta ka kontaktuar me përfaqësuesin e kompanisë, Luan Avdiu, por ai ka thënë se është i zënë dhe se t’i dërgohen pyetjet në e-mail pasi që nuk është në dijeni lidhur me vendimet e OSHP-së, dhe se ata vetëm se kanë ofertuar për këtë tender. Me gjithë premtimin që do të përgjigjet në pyetjet e gazetës, ai nuk e ka bërë një gjë të tillë.