Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale e Prishtinës, ka njoftuar se do të ndërpresë qarkullimin e të gjitha automjeteve në rrugët “Enver Zymberi” dhe “Rinia” që lidhen me stadiumin “Fadil Vokrri”.
Kjo, sipas Policisë, bëhet për të ofruar siguri për të gjithë pjesëmarrësit në Superkupën e Kosovës në futboll, që nis sonte në orën 20:00 në stadiumin e rinovuar në kryeqytet.
“Policia e Kosovës për të evituar bllokadat në rrugë, kolonat e gjata të automjeteve, për të mundësuar një qarkullim në suaza të normales, do të veproj në të gjitha rrugët të cilat lidhen me stadiumin “Fadil Vokrri”, duke formuar pikat e kontrollit me qëllim të ndalimit dhe udhëzimit të automjeteve, si dhe vendosjen e rregullit përgjatë atyre rrugëve”, thuhet në njoftim të Policisë.
Ky operacion do të nisë të implementohet nga ora 16:30 dhe policia ka kërkuar ndihmën e qytetarëve që të shmangin lëvizjet drejt stadiumit të qytetit me vetura.