Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu tha dje se shefi i Komisariatit të Rinasit, nga sot merr në kontroll përgjegjësinë e drejtimit dhe menaxhimit të sigurisë brenda Aeroportit të Rinasit, që deri më tani e ka pasur kompania private e sigurisë.
Me policinë do të bashkëpunojnë edhe batalioni i forcave speciale të ushtrisë.
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu tha se shefi i Komisariatit të Rinasit do ta marrë përgjegjësinë e drejtimit dhe menaxhimit të sigurisë brenda aeroportit të Rinasit, e cila deri më sot drejtohej nga kompania private e sigurisë. Për të dhënë këtë njoftim, ka dalë para mediave drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, zëvendës ministri i Infrastrukturës Artan Shkreli dhe zëvendësministri i Brendshëm, Besfort Lamallari.
Po sot, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka deklaroi se pas grabitjes edhe batalioni i forcave speciale të ushtrisë dhe policia ushtarake do të impenjohen në mbrojtjen e perimetrit te jashtëm të aeroportit, duke ndjekur në këtë mënyrë shembullin e shumë vendeve europiane.
Përfshirja e ushtrisë dhe policisë ishte bërë publik pak orë më parë nga kryeministri Edi Rama, i cili akuzoi kompaninë koncensionare kineze, që nuk ka respektuar standardet e duhura të sigurisë.
Drejtori i përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu shpjegoi se “Grupi hetimor është duke punuar intensivisht. Policia është duke punuar 24 orë dhe do të bëjë të mundur ta zbardhë këtë ngjarje. Jemi në rritje të parametrave të sigurisë. Në momente të caktuara nuk kemi gjetur bashkëpunimin e duhur nga kompania që është përgjegjëse për sigurinë në Rinas. Nisur nga kjo, me urdhër të kryeministrit, shefi i komisariatit të policisë së Rinasit merr përgjegjësinë e drejtimit, menaxhimit, kontrollit dhe bashkëpunimit me kompaninë në aeroport për të mundur kthimin e sigurisë në aeroport. Ne do të kërkojmë çdo ditë rritjen e parametrave të sigurisë”, tha Veliu.
Nga ana tjetër, zv. ministër i Infrastrukturës, Artan Shkreli u shpreh se janë dhënë rekomandime për të rritur nivelin e sigurisë në aeroport, por deri më tani koncesionari nuk ka reflektuar.
Teksa ka falënderuar policinë për bashkëpunimit, Shkreli e ka cilësuar grabitjen si humbjen më të vogël, duke qenë se nuk ka pasur humbje të jetëve të civilëve apo efektivëve të policisë.
“Ne patëm një bisedë me përfaqësuesin e TIA-së që ka të bëjë me ndryshimin e procedurave për rritjen e sigurisë. Kemi dhënë rekomandime për ndryshime në kontratat që janë bërë në pranverë të 2013, do të ndryshojnë. Do të jetë policia e Shtetit e cila që do të marrë përgjegjësinë, duke ndryshuar praktikën e deri më tanishme. Kemi menduar se koncesionari do të reflektonte. Falënderoj Policisë, e cila vetëm çështje sekondash u ballafaqua me grabitësit, me grupin që ishin të armatosur deri më dhëmbë. Ka ndodhur e keqja më e vogël, humbje financiare. Nuk kemi pasur humbje të civilëve apo të efektivëve të policisë”, u shpreh Artan Shkreli, zv. ministër i Infrastrukturës.
Ashtu sikurse u njoftua nga Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, efektivë të Policisë Ushtarake dhe Batalionit Special të Forcave tona të Armatosura janë vendosur prej mbrëmjes së sotme në perimetrin e sigurisë së aeroportit “Nënë Tereza”.