Policia: “Doku Fest” shembull për vendet tjera për siguri

Prishtinë | 15 Gus 2016 | 10:39 | Nga

Pas komenteve publike në mjete të informimit nga deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e NISMA-së Zafir Berisha, i cili festivalin Doku Fest e cilëson si: ”Doku Drogë”; “Doku Prostitucion” etj, Policia e  Kosovës për hir të informimit objektiv të opinionit jep shpjegime përmes një komunikate.

Nga  data 05 deri më 13 gusht  2016, në Prizren është mbajtur festivali tashmë tradicional i filmit dokumentar “Doku Fest”.

Sipas Policisë, gjatë kësaj periudhe kohore edhe përkundër pjesëmarrjes rekorde të shtëpive filmike nga 57 shtete, shfaqjes së rreth 238 filmave si dhe pjesëmarrjes së rregullt të rreth 15 000-25 000 mysafirëve, mes të cilëve edhe ambasadorë, është arritur që rendi dhe qetësia publike të jetë e kënaqshme dhe të mbahet nën kontroll, krejt kjo falë përkushtimit dhe angazhimit maksimal të të gjitha njësiteve relevante policore që ofruan siguri për qytetarët dhe pjesëmarrësit në festival.

“Kjo dëshmohet nga përgëzimet publike që i kemi marrë nga ambasadorët, pjesëmarrësit nga shtetet tjera dhe organizatorit të ‘Doku Festit’ ku mes tjerash ceket se sa i përket sigurisë ky ka qenë festival shembull për vendet tjera. Nga organizatori i ‘Doku Fest’ kemi marrë mirënjohje të veçantë për ruajtjen e rendit, qetësisë publike dhe sigurinë e ofruar deri në përfundimin e festivalit”.

“Vlen të theksohet se incidentet e raportuara nuk i tejkalojnë shifrat që raportohen zakonisht gjatë kohës së verës dhe kryesisht janë të natyrës së lehtë me të cilat është marrë policia dhe janë raportuar në prokurorinë e shtetit”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Sipas të dhënave të marra nga DHTN në Prizren, për posedim të paautorizuar, shpërndarje dhe shitje e substancave narkotike gjatë ‘Doku Fest’ 2016 janë iniciuar 19 raste dhe janë ndaluar me urdhër të prokurorit 5 persona, kurse 14 të dyshuar ndiqen sipas procedurës së rregullt.

“Duhet cekur se bëhet fjalë për persona të njohur që më parë për policinë. Të gjitha rastet e raportuara nuk ia zbehin imazhin dhe vlerën e festivalit dhe konsiderohen raste të izoluara që nuk paraqesin rrezikim të sigurisë individuale ose të përgjithshme për pjesëmarrësit”, thuhet në njoftim.

 

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme