Policia e Kosovës ka njoftuar se alarmi i rremë për bombë në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, i raportuar të martën në mëngjes, është ndërlidhur me kërcënimin e ngjashëm të 22 qershorit, ndërsa hetimet kanë zbuluar se të dy telefonatat janë realizuar nga i njëjti numër telefonik në Serbi.
Sipas Policisë, më 30 qershor, rreth orës 07:48, Qendra Operative e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës pranoi një telefonatë në numrin zyrtar nga një person që komunikonte në gjuhën serbe, i cili pretendoi në mënyrë të rreme se në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë ishte vendosur një mjet shpërthyes.
“Menjëherë pas pranimit të informatës, Policia e Kosovës ka reaguar sipas procedurave operative për raste të tilla. Njësitë patrulluese të Stacionit Policor Jugu kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, kanë evakuuar qytetarët, kanë siguruar perimetrin dhe kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për garantimin e sigurisë publike. Njëkohësisht janë angazhuar njësitet e specializuara policore si: Njësia për Trajtimin e Mjeteve Shpërthyese, Njësia K9, hetuesit e stacionit policor, hetuesit rajonalë dhe njësitë e tjera relevante të Policisë së Kosovës. Në vendin e ngjarjes kanë asistuar edhe njësitë e zjarrfikësve, autoambulanca dhe Drejtoria e Emergjencave e Komunës së Prishtinës”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Pas kontrolleve të kryera nga njësitë e specializuara, autoritetet konfirmuan se alarmi ishte i rremë dhe se nuk u gjet asnjë mjet shpërthyes.
“Pas kontrollit të plotë dhe të detajuar të objektit dhe zonës përreth nga njësitë e specializuara, nuk është gjetur asnjë mjet i dyshuar apo mjet shpërthyes. Pas përfundimit të procedurave të sigurisë, Stacioni i Autobusëve është rihapur dhe ka vazhduar funksionimin normal. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, i cili ka autorizuar inicimin e rastit për veprën penale ‘Lajmërimi apo kallëzimi i rremë’, ndërsa hetimet janë duke vazhduar”, njofton Policia.
Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet e zhvilluara nga Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike kanë zbuluar lidhjen mes dy rasteve dhe kanë siguruar prova elektronike që mbështesin këtë konstatim.
“Ky rast është ndërlidhur drejtpërdrejt me kërcënimin e rremë të datës 22.06.2026, i cili kishte në shënjestër të njëjtin objekt. Hetimet intensive të zhvilluara nga Policia e Kosovës, përkatësisht nga Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike, kanë rezultuar se të dy telefonatat janë realizuar nga i njëjti numër telefonik në Serbi. Gjithashtu, gjatë analizave teknike dhe hetimore janë siguruar prova dhe të dhëna të tjera elektronike që ndërlidhin këto raste me njëri-tjetrin dhe që tashmë janë pjesë e procedurës hetimore”, thuhet në komunikatë.
Policia theksoi se ka kapacitete të avancuara për hetimin e krimeve kibernetike dhe gjurmimin e komunikimeve kriminale, duke paralajmëruar se autorët e këtyre veprave nuk do të mbeten anonimë.
“Policia e Kosovës ka ndërtuar kapacitete profesionale dhe teknike të avancuara në fushën e hetimeve kibernetike dhe gjurmimit të komunikimeve kriminale, përfshirë edhe rrjetet sociale. Përvoja ka dëshmuar se autorët që tentojnë të fshihen pas telefonatave anonime, aplikacioneve elektronike, profileve të rreme apo veprimit nga shtete të tjera identifikohen dhe asnjë autor nuk mbetet anonim. Policia e Kosovës do të përdorë të gjitha mjetet ligjore, profesionale dhe mekanizmat e bashkëpunimit ndërkombëtar për të identifikuar dhe sjellë para organeve të drejtësisë çdo person që tenton të cenojë sigurinë publike dhe të krijojë frikë te qytetarët e Republikës së Kosovës”, përfundon njoftimi.