Policia e Kosovës me plan operativ për Vitin e Ri

Prishtinë | 25 Dhj 2019 | 14:53 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës është përkushtuar  që festa e Vitit të Ri të kalojë më së miri në aspektin e sigurisë.

“Sikurse edhe viteve të kaluara Policia e Kosovës edhe këtë vit për festat e fund-vitit ka përgatitur urdhrin operativ “Fundviti – 2019 dhe fillimi i 2020” për të ofruar siguri, rend dhe qetësi publike në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në kumtesë.

Qëllimi i këtij planifikimi dhe angazhimi të Policisë së Kosovës, është ruajtja e rendit dhe qetësisë publike në mbarë vendin, shtimi i prezencës policore në rrugë dhe ambiente të hapura, në sheshe e lokacione ku ka frekuentim të qytetarëve, parandalimi dhe luftimi i dukurive negative dhe akteve të ndryshme kriminale, si dhe parandalimi i rasteve të mundshme të natyrave të ndryshme.

Po ashtu pjesë e planit është edhe shtimi i prezencës policore në komunikacionin rrugor me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe incidenteve të mundshme në trafik.

“Andaj Policia e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët e vendit, që të respektojnë dispozitat ligjore, të respektojnë shenjat e trafikut, të ju përmbahen kushteve të rrugës si dhe të mos drejtojnë automjetet nën ndikim të alkoolit”.

“Po ashtu PK-ja me theks të veçantë apelon tek ç’do prind që të jenë më të kujdesshëm dhe më vigjilentë në parandalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike sidomos nga fëmijët, me qëllim të shmangies së rrezikut që mund të shkaktojnë mjetet plasëse, fishekzjarrët ku si pasojë e mospërdorimit adekuat të tyre vite më parë janë evidentuar incidente me pasoja të rënda”.

Në të kundërtën thuhet se Policia e Kosovës do të ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme ligjore kudo që vëren se janë përdorur armë apo mjete tjera të kundërligjshme.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme