Policia e Kosovës mohon se dy të rinj serbë në veri u rrahën nga policët

Prishtinë | 09 Mar 2023 | 13:56 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës në një sqarim për media ka mohuar raportimet se në një fshat të komunës së Leposaviqit, dy të rinj të nacionalitetit serb janë rrahur e keqtrajtuar nga zyrtarë policorë.

“Policia e Kosovës menjëherë pas publikimit të këtyre informacioneve, me datë 08.03.2023 ka ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme konform autorizimeve ligjore, me qëllim të verifikimit dhe trajtimit të informacionit dhe deklarimeve të publikuara, të cilat kanë rezultuar se nuk ka ndonjë rast të raportuar apo evidentuar në institucionet kompetente”, thuhet në sqarimin e Policisë.

Sipas sqarimit bazuar në informacionet dhe verifikimet zyrtare me të gjitha njësitet policore në terren, përfshirë ato kufitare, është vërtetuar se një rast i tillë nuk është raportuar në Policinë e Kosovës.

“Deklarimet dhe publikimet në fjalë, sipas kompetencës, Policia e Kosovës i ka adresuar te Inspektorati Policor i Kosovës për trajtim dhe kompetencë të mëtejme. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore, në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike si dhe ofrimit të sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim, dhe njëkohësisht fton të gjithë qytetarët që për çfarëdo rasti apo kërkese t’i adresohen institucionit policor për trajtimin e tyre. Po ashtu ftojmë edhe mediat që për informacione zyrtare t’i adresohen Policisë së Kosovës”, thuhet në sqarim.

Të ngjashme