Policia e Kosovës ndan mbi 45 mijë euro për renovimin e qendrave të ndalimit në Gjakovë

Prishtinë | 13 Gus 2026 | 15:13 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës ka dhënë një kontratë në vlerë prej 45,257.20 eurosh për renovimin e qendrave të ndalimit në kuadër të stacioneve policore në Regjionin e Gjakovës.

Sipas njoftimit për dhënie të kontratës, aktiviteti i prokurimit me titull “Renovimi i qendrave të ndalimit në kuadër të stacioneve policore” ka pasur vlerë të parashikuar prej 114,134.98 eurosh dhe është zhvilluar përmes procedurës së hapur, me kriter të dhënies çmimin më të ulët.

Kontrata për Regjionin e Gjakovës, e cila përbën pjesën e tretë të aktivitetit, i është dhënë kompanisë MBB Construction SH.P.K., me adresë në Prizren.

Për këtë pjesë kanë konkurruar dy operatorë ekonomikë.

Sipas dokumentit, punët do të realizohen në qendrat e ndalimit sipas paramasës së përcaktuar nga Autoriteti Kontraktues.

Përveç Gjakovës, pjesë të tjera të kësaj procedure të prokurimit janë edhe stacionet në regjionin e Prizrenit, Pejës dhe Prishtinës.

Një nga një, së shpejti pritet të përmbyllen aktivitetet e prokurimit edhe për këto regjione.

Të ngjashme