Policia e Kosovës vret një person të dyshuar në Prizren, qëlloi në drejtim të tyre

Prizren | 22 Sht 2020 | 20:45 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Policia Rajonale në Prizren ka dhënë detaje lidhur me vdekjen e një të dyshuari gjatë shkëmbimit të zjarrit në mes tij dhe Policisë.

Policia bëri të ditur se B.Sh., i njohur me nofkën “Qorri” ishte i moshës 32-vjeçare. Ai ishte duke u kërkuar me fletarrest nga Prokuroria si i dyshuar për veprën penale tentim vrasje, ngjarje që ka ndodhur më 16 shtator.

Një zyrtar policor tha se i dyshuari ka ndërruar jetë gjatë dërgimit në spital.

Sipas tij, sonte është hera e dytë që tanimë i ndjeri ka kryer veprën penale “tentim-vrasje”.

“Sot rreth orës 19:30 në Lagjen e Trimave njësiti policor gjatë aktiviteteve të tyre ka hasur një person të dyshimtë B/SH që ka qenë me urdhërarrest. Ai ka gjuajtur me armë zjarri dhe Policia në vetëmbrojtje është dashur të përdor armë zjarri”.

“Pas plagosjes i është dhënë ndihma e parë por gjatë trajtimit për në spital i dyshuari ka ndërruar jetë”.

“Kemi një person që është i vdekur, nga ana e policisë nuk kemi ndonjë të dëmtuar”.

“Ka qenë një person i dyshimtë edhe për vepra tjera penale, ky është rasti i dytë që ka tentuar të vras dikë, Policia ka qenë në kërkim të tij, ne kemi pas informacionin që posedon armë dhe që është i rrezikshëm edhe për qytetarët”, ka thënë zyrtari policor.

Policia jep detaje për vrasjen në Prizren, kërkohej për “tentim-vrasje”

Policia e Kosovës, njësiti policor i Drejtorisë Rajonale në Prizren, ka njoftuar se derisa ishte në realizim të detyrave policore, sot në orët e mbrëmjes në Lagjen e Trimave në Prizren, ka hasur në personin e dyshuar B.Sh., i njohur me pseudonimin “Qorri”, i cili ishte në kërkim me urdhërarrest për vepër penale “tentim-vrasje”

Personi i dyshuar në momentin kur ka vërejtur njësitin policor ka filluar të shtie me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë, të cilët në vetëmbrojtje janë detyruar t’i kundërpërgjigjen personit të dyshuar me armë zjarri, të cilët janë mbështetur edhe nga njësitet speciale të PK-së

Nga shkëmbimi i armëve të zjarrit është plagosur personi i dyshuar. Atij i është ofruar ndihma mjekësore dhe menjëherë është dërguar për trajtim mjekësor në qendrën spitalore.

Nga mjekët kompetentë është konfirmuar se personi i dyshuar nga plagët e marr ka vdekur.

Në vendin e ngjarjes është gjetur një armë e zjarrit-pistoletë, me të cilën dyshohet se personi i dyshuar ka shtënë në drejtim të zyrtarëve policorë si dhe dy granata dore.

Policia e Kosovës thotë se mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj ligjore, pavarësisht se në çfarë situate mund të ndodhet, me qëllim të ruajtjes së rendit publik dhe parandalimit të krimit.


Të ngjashme