Policia jep detaje lidhur me rastin e dhunimit të 21-vjeçares në Fushë Kosovë

Prishtinë | 18 Maj 2021 | 20:36 | Nga Ekonomia Online

Një 21-vjeçare dyshohet se është dhunuar sot nga një i dyshuar, i cili ishte paraqitur si person që ndihmon njerëzit përmes këndimit të Kuranit, ndërkaq rasti ka ndodhur në banesën e tij në Fushë Kosovë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se është ndaluar për 48 orë i dyshuari për dhunim e një 21-vjeçareje në Fushë Kosovë.

Ndërsa, Policia e Kosovës për Gazetën Express ka konfirmuar se i dyshuari është R.S një 28-vjeçar.

“Rasti dyshohet të ketë ndodhur në Fushë Kosovë në fillim të muajit maj të këtij viti ndërkaq është raportuar më datë 17.05.2021, në ndërlidhje me rastin e lëndimit të lehtë trupor i cili ka rrjedhur si pasojë e rastit të parë.

Me rekomandimin e prokurorit të shtetit rasti është cilësuar si dhunim dhe versioni i hetimit është ngritur mbi bazën e dyshimeve se i dyshuari R. S, 28 vjeç, i vet thirrur si shërues alternativ & spiritual, duke shfrytëzuar rrethanat specifike të viktimës, ndaj të njëjtës ka kryer aktin e dhunimit”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Policia po ashtu ka bërë të ditur se 28-vjeçari nuk është zyrtar i ndonjë bashkësie religjioze.

“Pas hetimit preliminar, policia ka arrestuar të dyshuarin dhe i njëjti është dërguar në mbajtje prej 48 orësh për procedim në fazën e mëtejme hetimore. Vlen të theksohet fakti se i njëjti nuk është zyrtar ndonjë bashkësie religjioze”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Të ngjashme