Policia ka bërë të ditur se është gjetur Azem Isufi, për të cilin raportohej se kishte humbur që kur ishte larguar nga shtëpia e tij me 1 tetor të këtij viti.
Një zyrtar i Policisë ka thënë për Klan Kosova se 23 vjeçari është në gjendje të mirë shëndetësore dhe se pas marrjes në pyetje nga autoritetet ai është dërguar në shtëpi.
“Personi për të cilin është raportuar se është zhdukur për më shumë se tre javë, është gjetur dje pasdite nga hetuesit e sektorit rajonal të hetimeve në Mitrovicë. Ai është gjetur brenda territorit të Kosovës në gjendje të mirë shëndetësore. Pastaj ai është dërguar në stacionin policorë të Mitrovicës për t’u intervistuar. Pas intervistimit ai është dërguar në shtëpi”, ka thënë për Klan Kosova zëdhënësi i Policisë rajonale të Mitrovicës, Avni Zahiti.
Gjithashtu për Klan Kosova kanë folur edhe familjarët e personit në fjalë, të cilët kanë bërë të ditur se ai është gjetur nga Policia në pjesën veriore të Mitrovicës.
“Azemin e ka gjetur Shërbimi Policor i Kosovës në pjesën veriore të Mitrovicës. Ne nuk kemi informacion më shumë, vetëm se na ka telefonuar policia dhe ishim në stacion për ta verifikuar se a është Avnia. Ai është në gjendje të mirë shëndetësore”, ka thënë për Klan Kosova, djali i axhës së personit në fjalë, Jakup Isufi.