Të martën një grua nga Peja e kishte raportuar në polici ish-burrin e saj pasi që ky i fundit sipas ankueses ia kishte rrëmbyer nga shkolla djalin 8-vjeçar. Me rastin është duke u marrë policia e Kosovës. Kjo e fundit gjatë ditës së sotme ka sqaruar se sipas hetimeve prindi e kishte marrë djalin nga shkolla pasi që kishte qenë me grip.
I njëjti sipas policisë pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt. Ndërkaq në prezencë të punëtorit të Qendrës për Punë Sociale, fëmija i është dorëzuar nënës.
“Në lidhje me rastin pas një pune hetimore me datën 19.03.2019, është identifikuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar i cili është baba i fëmijës së raportuar si i rrëmbyer. Sipas të dyshuarit fëmija ka qenë i sëmurë dhe të njëjtin e kishte marrë për ta dërguar te mjeku dhe të qëndrojë tek ai disa ditë. Pas intervistimit me urdhër të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa në prezencë të punëtorit të QPS-së fëmija i është kthyer ankueses nënës së tij në gjendje të mirë shëndetësore”, thuhet në raportin shtesë të policisë lidhur me këtë rast.