Policia konfirmon “kanosjen” ndaj Abdixhikut dhe disa deputetëve të LDK-së, Express raportoi për tentim-atentat

Prishtinë | 18 Jan 2023 | 20:34 | Nga Ekonomia Online

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë se kanë marrë të gjitha veprimet e nevojshme për një kanosje, e cila u portretizua si atentat ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe disa deputetëve të kësaj partie.

“Policia e Kosovës, në këtë rast drejtoria kompetente e Policisë së Kosovës, ka ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme policore lidhur me rastin/kanosjen në fjalë”, tha Kelani.

“Të gjitha veprimet e mëtejme policore do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, tha tutje ai.

Lutfi Haziri: Nuk e di a është planifikuar atentat ndaj Abdixhikut

Lutfi Haziri, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se nuk është në dijeni nëse lajmi i dhënë nga Gazeta Express se dikush ka provuar ta vras kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, është i vërtetë.

“Nuk e di a është e vërtetë, nuk e kam parë lajmin”, ka thënë Haziri për Albanian Post.

Gazeta Express ka raportuar, mbështetur në burime, se tashmë është deponuar edhe një deklaratë në polici të Kosovës se një grup ka planifikuar atentat ndaj Abdixhikut dhe disa deputetëve seniorë të partisë.

Në këtë shkrim thuhet se policia është në dijeni të këtij grupi, por jo edhe për motivet.

Të ngjashme