Policia konfiskon 99 armë në një depo postare dhe medikamente të dyshimta, arreston 3 persona

Prishtinë | 22 Mar 2019 | 11:22 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Policia e Kosovës ka mbajtur konferencë të jashtëzakonshme për medie, lidhur me operacionin policor i cili ka rezultuar me arrestimin e disa personave të dyshuar, konfiskimin e një numri të konsiderueshëm të armëve, një sasie të konsiderueshme të barërave ilegale dhe gjësendeve tjera me vlerë, raporton Ekonomia Online.

Drejtori i drejtorisë për krime ekonomike dhe korrupsion, Bashkim Spahiu, tha se polica gjatë këtij aksioni ka konfiskuar 99 armë të shkurta dhe ka arrestuar 3 persona të dyshuar dhe mjete të tjera të dyshuara.

Spahiu ka njoftuar se bëhet fjalë për grup kriminal dhe përveç tre të arrestuarve deri më tani që janë dërguar në mbajtje, pritet që të arrestohen edhe pjesëtarë të tjerë të grupit.

“ Policia ka konfiskuar 99 armë , sasi municioni, si dhe tre vetura. Këto armë janë gjetur në një depo të një kompanie që kryen shërbime postare dhe destinacion ka qenë e gjithë Kosova. Një pjesë e medikamenteve kanë hyrë ilegalisht në Kosovë dhe janë mbajtur në depo në mënyrë ilegale dhe janë shpërndarë me një çmim jashtë standardeve”, tha ai.

Ai tha se sasia e barnave është gjetur në një veturë të dyshimtë të tipit Audi A3.

“Me krijimin e dyshimit të arsyeshëm se veprimtaria kriminale është në veprim e sipër është bërë përcjellja e të dyshuarve. Dje hetuesit fillimisht e kanë ndalë një veturë të dyshimtë Audi A3 ku gjatë kontrollit është has në sasi barnash të dyshuara për kontrabandim. Në kuadër të hetimit janë përfshirë edhe drejtoria për krim të organizuar”, ka thënë Spahiu në konferencën e jashtëzakonshme, raporton EO.

“… Gjatë bastisjeve është arrit që të mblidhen prova tjera. Në një lokacion janë konfiskuar barna në mbi katër mijë paketime barna të një lloji, tre mijë e 12 paketime të një lloji tjetër, rreth tre mijë paketime të një lloji detergjenti dhe barna të ndryshme”.

Baki Kelani zëdhënës i Policisë, tha se operacioni i nisur dje është duke vazhduar edhe gjatë ditës së sotme.

Sipas tij, operacioni  deri më tani ka rezultuar  me arrestimin e disa personave.


Të ngjashme